Sampdoria del me pikë nga 'Via Del Mare', Lecce dëshpërohet në fund

 

Lecce nuk ka arritur dot të triumfojë ndaj vendit të fundit të Sampdorias duke u ndalur në barazim me shifrat 1-1. Vendasit arritën të bëjnë një ndeshje të shkëlqyer, por u ndëshkuan vetëm nga një episod i miqve.

Ky takim nisi në mënyrë të vrullshme nga vendasit të cilët kërkuan në disa aksione golin e avantazhit. Megjithatë, Lecce arriti të zhbllokonte shifrat 15 minuta para përfundimit të pjesës së parë me Ceesay.

Pjesa e parë u mbyll në avantazh të vendasve me rezultatin minimal 1-0. Në pjesën e dytë ishte sërish skuadra e Lecces që sulmonte vazhdimisht duke shpërdoruar disa mundësi shënimi.

Në vetëm një aksion në anën tjetër të fushës nga Sampdoria, këta të fundit arritën të befasonin vendasit me lojën e mirë që po bënin deri në këto minuta duke rikthyer baraspeshën. Jese mposhti portierin Falcone duke e kaluar topin mbi të dhe duke shënuar.

Pas golit të pësuar, Lecce nuk e uli ritmin e lojës duke kërkuar të realizojë sërish, por sfida në fund u mbyll në barazim me shifrat 1-1.

Me këtë barazim, Lecce renditet në vendin e 16-të klasifikimit të Serie A me 28 pikë të grumbulluara. Nga ana tjetër, Sampdoria mbetet në fundin e tabelës me plot 10 pikë larg daljes nga zona e ftohtë.