Premier League/ Aston Villa i bashkohet garës për zonën Champions
Aston Villa e trajnerit Unai Emery koleksionoi fitoren e pestë radhazi në kampionat.
Një arritje që regjistrohet për herë të parë pas 25-vitesh teksa skuadra nga Birmingham, mposhti në shtëpi Newcastle me shifrat 3-0.
Ndeshja nisi në mënyrën e duhur për vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 11-të me anë të Jacob Ramsey që realizoi në zonë pas një spondi të Ollie Watkins.
Ky i fundit do të ishte personazhi kryesor për të tijtë duke qenë se në fraksionin e dytë do të shënonte edhe dy herë të tjera.
Fillimisht, sulmuesit iu anulua një gol nga sistemi VAR pas një pozicioni jashtë loje, ndërsa më pas 64-tën gjeti koordinimin e duhur edhe pse me shpinë nga porta.
Në minutën e 83-të, Watkins shënoi edhe të tretin për të vulosur fitoren e Aston Villas me shifrat 3-0 përballë Newcastle teksa pas këtij suksesi, ekipi i drejtuar nga trajneri Emery ngjitet në kuotën e 50 pikëve në vend të gjashtë, gjashtë më pak se Manchester United i vendit të katërt.
Nga ana tjetër, Newcastle mbetet në vend të tretë me 56 pikë.