Gjoba dhe pezullimi i Manesë, Tuhel sillet si avokat i sulmuesit: Të gjithë gabojmë
Bajern Mynih nuk po përjeton ditë të qeta, aty ku disfata në Mançester dhe grushti i Manes kundrejt Sanes i trazoi me tepër ujërat.
Megjithatë Tomas Tuhel i ka dalë në mbrojte ish-lojtarit të Liverpulit, pa anashkaluar kontributin e Guardiolës në Mynih, rivalin e sotëm dhe interesimin ndaj bomberit napolitan Viktor Osimhen.
SHERRI- “I gatshëm të bëjë rolin e avokatit mbrojtës në favor të Manes. Të gjithë gabojmë. E njoh atë djalë që në periudhën kur aktivizohej me Liverpulin, të gjithë e kemi parë se çfarë zemre ka. Megjithatë rrethana të caktuara na bëjë të dalim nga vetja, element i cili i ndodh kujtdo. 31-vjeçari i kërkojë falje Leroit dhe shokëve për skenat e krijuara. Veprimi në fjalë duhet të shërbejë si shembull te pjesa tjetër e ekipit. Krenar që gjithçka u zgjidh në mënyrën më demokratike të mundshme”, theksonte mes optimizmit 49-vjeçari gjerman.
KONTRIBUTI I GUARDIOLËS- “Pa dyshim që puna e tij ka rrënjë të mëdha në Mynih, ashtu siç Hajnkes apo Luis van Gal. Ai ndërtoi filozofinë e tij për të tri vjet dhe ndihen disa prej komponentëve që Pep lë në klubet që trajnon. Gjithsesi nuk përpiqem të kopjoj atë çka spanjolli ka formësuar te Bajerni, por të vendos shenjën time”.
ATMOSFERA NË EKIP- “Kur firmosa kontratën ndjeva se kisha stilolaps të rënën në dorë, e cila nënkupton përgjegjësi për detyrën e re. Nga krahu tjetër evidentohet edhe si nder i madh, pasi jo vetëm pak teknikë e kanë shansin të marrin frerët e skuadrave me të tilla dimensione si Bajerni. Mbajtja e frymës pozitive duhet të shërbejë si katalizator në shumë drejtime. S’duhet harrur se rezultatet kanë ndikimin e vet në gjendjen pasuese, kështu që fitoret mbeten detyrim”, shtoi 49-vjeçari.
INTERESIMI NDAJ OSIMHENIT- “E kam opinionin për këtë sulmues të jashtëzakonshëm, ama nëse e shpreh tani kolegu im Spaleti me të drejtë do të më kthehet. Si e more atë? Prandaj koha do të japë verdikte më të sakta, marrë në konsideratë momentin delikat për të gjithë klubet, aq më tepër ato me pretendime. Të fokusohemi në duelin me Hofenhaimin e më pas me Sitin, për diskutime të tilla ka mjaftueshëm kohë”, tha Tuheli në lidhje me interesimin për të rrëmbyer nigerianin. Frazat e teknikut gjerman bëjnë të kuptosh se diçka po zien në aksin Napoli-Mynih.
RIVALI- “Çdo ndeshje duhet marrë me radhe, kështu që Hofenahimi është finalja e radhës dhe fitorja s’mund të vihet në dyshim. Dëshiroj të shënojmë sa më tepër gola dhe të mos pësojmë asnjë të vetëm. Pres nivel të lartë në lojë nga lojtarët e mi, më pas fokusi kthehet në Champions. 70 minuta në Mançester më lanë shije pozitive, megjithëse nuk u përkthyen në rezultate në shifrat finale”, preku performancën e fundit të bavarezëve në Ligën e Kampioneve trajneri i rekordmenëve.
MBROJTJA E UPAMEKANOS- “Shpresoj ta bëjmë gjithmonë këtë sjellje, pra të mbrojmë lojtarët tanë nga gjuha raciste. Fakt është se gaboi dhe pati ndikim në shifrat finale. Tashmë ka nevojë për pak qetësi dhe të rikthehet më i fortë se kurrë në detyrat e ardhshme”, e mbylli Tuhel.