Nga lazanjat te zemrat dhe mëlçitë, Haland zbulon sekretin: Qumështi, ilaçi im magjik
Erling Haland ka treguar me humor sekretin që qëndron pas numrit të jashtëzakonshëm të golave që ka shënuar këtë sezon me Mançester Sitin dhe sulmuesi e ka përshkruar atë si ilaçin e tij magjik, qumështin.
22-vjeçari, i cili po thyen rekorde me golat e tij që në edicionin e parë në “Etihad”, ka shënuar tashmë 45 gola në 39 ndeshje në të gjitha ndeshjet për ekipin e Pep Guardiolës.
Dhe Haland ka bërë një postim në “Twitter”, duke zbuluar “karburantin” sekret që qëndron pas numrave të tij mahnitës. Ai postoi disa foto në rrjetet e tij sociale duke treguar disa shishe qumështi të shëndetshëm dhe përkufizuar atë me diciturën: “Unë dhe ilaçi im magjik”.
Nuk është hera e parë që Haland zbulon dietën që e ka ndihmuar të bëhet një prej sulmuesve më të frikshëm në botë.
Vitin e kaluar, norvegjezi zbuloi dietën e stilit Hanibal Lekter gjatë një dokumentari të quajtur “Haland: Vendimi i rëndësishëm”, ku ai foli për kënaqësinë e ngrënies së copave të mëdha të zemrave dhe mëlçive.
Haland tregoi gjithashtu se pinte ujë përmes një sistemi të komplikuar filtrimi dhe se ai është një adhurues i banjave me akull dhe mban syze që filtrojnë dritën blu për të përmirësuar gjumin e tij, krahas dietës së tij me 6000 kalori në ditë.
Pak kohë më parë ai ka zbuluar se një tjetër sekret në dietën e tij është edhe lazanja, që i përgatit babai i tij, Alfi.
Dhe ishte pikërisht tekniku katalanas ai që u përgjigj me humor pak orë përpara ndeshjes së Premier Ligës kundër Sauthemptonit, kur e pyetën nëse është e vërtetë ajo që thonë në Norvegji, se Haland, përpara se të zbresë në fushë ushqehet me një pjatë lazanjë të gatuar nga duart e ish-lojtarit të Sitit: “Nëse është e vërtetë mund t’i bëjmë një ofertë babait të Halandit për të ardhur dhe gatuar për ne. Do ta bind presidentin që ta punësojë, por nuk mendoj se sekreti i golave të tij është vetëm ky”.