Në krah të Sali Berishës, edhe 23 parti pro koalicionit 'Bashkë Fitojmë'

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga mijëra demokratë dhe mbështetës të forcave të ndryshme opozitare sot në hapjen e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” në stadiumin “Air Albania”, sikundër pritej, pas mbështetjeve të mëdha që ishin dëshmuar javët e fundit në çdo bashki të vendit ku ai shkoi për të prezantuar kandidatët për kryebashkiakë.

Ajo që ra në sy sot në stadiumin “Air Albania” ishte prania e tri deputetëve kritikë të PD-së, që i ishin bashkuar z. Berisha, deputetët Ervin Salianji, Bledion Nallbati dhe Ilda Dhori.

Po ashtu, u pa prania e përfaqësuesve të 23 partive që mbështesin kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të drejtuar nga Partia Demokratike e rithemeluar dhe e drejtuar nga Sali Berisha.