SYRI TV/ Çështja penale në SHBA, Berisha: Rama e ka burgun e hapur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cilësoi deklaratat e Gabriel Eskobar, se çështja Rama-McGonigal është ende e hapur, si një konfirmim që dera e burgut është e hapur për kryeministrin. Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, Berisha ftoi qytetarët të marrin pjesë në çeljen e fushatës së opozitës, që sipas tij do të sjellë një fitore si ajo e vitit ‘92
SYRI TV
Kryetari I Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi intervistën e zv.ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Eskobar, duke thënë se i dërguari i posaçëm i SHBA, përmes deklaratave të tij, konfirmoi se afera McGonigal dhe përfshirja e kryeministrit Edi Rama në këtë çështje, është ende në hetim, duke e lënë kështu derën e burgut, të hapur për kryeministrin Edi Rama.
Deklaratat e kreut demokrat u bënë gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, ku Berisha deklaroi se nuk ka kërkuar heqjen e sanksioneve nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, pasi ka ngritur padi ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Lideri i opozitës denoncoi lidhjet e kryebashkiakut Erion Veliaj me persona të Gardës Revolucionare iraniane dhe skemën e pastrimit të parave përmes inceneratorit të Tiranës.
Berisha i kushtoi rëndësi çeljes së fushatës elektorale të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, duke i ftuar qytetarët t’i bashkohen opozitës, ditë e shtunë, në orën 12:00, në stadiumin ‘Air Albania’.
Dhe pranverën e fitores, për kryetarin e Partisë Demokratike, e paralajmëron edhe rritja e kandidatëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, në sondazhe.