Arrestim në Durrës: Policia e kontrollon për vjedhje parash, 31-vjeçares i gjendet pistoletë

Policia e Durrësit ka ushtruar kontroll në shtëpinë e një vajze 31 vjeçare, e cila dyshohej se i kishte vjedhur para shoqes së saj, por në vend të tyre i gjeti një pistoletë "Glock". Në pranga përfundoi edhe miku i saj,  35-vjeçari që nuk e kallëzoi krimin. 

Policia e Durrësit tha se pas informacionit të marrë se në një shtëpi ishte vjedhur një shumë parash, u organizua për identifikimin dhe kapjen e autorit. Bazuar në inteligjencën informative, u kontrollua banesa e 31-vjeçares M. Xh, banuese në Durrës, pasi dyshohej si autore e vjedhjes së parave te shoqja e saj S. Rr. 

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën një pistoletë  tip “Glock” dhe një sasi fishekësh. 

Në përfundim u bë arrestimi i M. Xh., për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Por, u arrestua për moskallëzim krimi edhe miku i saj, E.B, 35 vjeç,  i cili u gjet në banesë gjatë kontrollit të Policisë, por nuk kishte kallëzuar që mikesha e tij M. Xh. mbante armë zjarri. 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe të autorësisë së vjedhjes së shumës së parave në banesën e shoqes së 31-vjeçares.  Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.