Reforma e pensioneve në Francë: Macron firmos ligjin për rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç

Presidenti francez Emmanuel Macron e firmosi ligjin për reformën shumë të papëlqyeshme të pensioneve të qeverisë së tij, e cila rrit moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64 vjeç.

Kjo ndodhi disa orë pasi organi më i lartë kushtetues i Francës e miratoi ndryshimin.

Këshilli Kushtetues hodhi poshtë thirrjet e opozitës për një referendum - por ai gjithashtu hodhi poshtë disa aspekte të reformave, duke përmendur të metat ligjore.

Pas vendimit të Këshillit, protestuesit ndezën zjarre në të gjithë Parisin dhe 112 persona u arrestuan.

Që prej janarit janë mbajtur 12 ditë protesta kundër reformave.

Sindikatat janë zotuar të vazhdojnë të kundërshtojnë reformat dhe u kanë bërë thirrje punëtorëve në të gjithë Francën që të kthehen në rrugë për të demonstruar më 1 maj.

Presidenti Macron argumenton se reformat janë thelbësore për të parandaluar kolapsin e sistemit të pensioneve. Në mars, qeveria përdori një fuqi të veçantë kushtetuese për të detyruar ndryshimet pa votim.

Ai e nënshkroi reformën duke e kthyer në ligj në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Ministri i Punës Olivier Dussopt ka thënë se pret që reformat të hyjnë në fuqi deri në fillim të shtatorit.