Putini anulon paradat e fitores: Ka shumë pak tanke dhe ushtarë
Nga Philip Fabian, BILD
Në më pak se një muaj, në Rusi do të jetë sërish koha e festimeve për ‘Ditën e Fitores’. Por lufta në Ukrainë e ka rënduar aq shumë ushtrinë e Putinit, saqë ai duhet të anulojë shumë parada!
Në disa kryeqytete rajonale, Kremlini është dashur të ndërmarrë hapin shumë të pazakontë të anulimit të festimeve për fitoren e madhe të Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945, raporton instituti amerikan ‘Këshilli Atlantik’.
Mes tyre janë rajonet e Kurskut dhe Belgorodit, të dyja kufizohen me Ukrainën, por edhe në gadishullin e Krimesë të vjedhur nga Ukraina.
Arsyeja zyrtare: shqetësimet e sigurisë.
Në Moskë, festimet e 9 majit do të mbahen siç ishte planifikuar- por Putini kërcënohet me një paraqitje të turpshme edhe atje!
Sipas institutit amerikan, vëzhguesit besojnë se nuk është thjesht çështje sigurie: ushtrisë po i mbarojnë tanket dhe Kremlini është kujdesur që një gjë e tillë të mos zbulohet publikisht.
E thënë ndryshe, këto parada rrezikojnë të zbulojnë në mënyrë të pamëshirshme se lufta e Putinit po shkon shumë më ndryshe nga sa pretendon gjithmonë propaganda e tij- dhe se regjimi i tij është në një pozitë shumë më të keqe nga sa u thuhet njerëzve.
Dita e Fitores është ndoshta dita më e rëndësishme e vitit për shumë rusë- dhe kjo ka të bëjë shumë me Putinin personalisht. Gjatë qeverisjes së tij, ai i ka ngritur festimet në rangun e një feste thuajse fetare, të krijuar për të forcuar krenarinë ruse. Kulti i fitores ndaj Gjermanisë naziste vendos tonin në politikën ruse dhe kundërshtarët e regjimit të Putinit brenda dhe jashtë vendit sulmohen në mënyrë rutinore si ‘nazistë’ dhe ‘fashistë’- përfshirë këtu edhe Ukrainën.
9 maji i ardhshëm do jetë i turpshëm
Rekordi shkatërrues i Putinit në muajt e fundit: ofensiva e madhe ruse, që pritej në pranverë, rezultoi me humbje të mëdha materiale dhe njerëzore dhe vetëm me disa fitore shumë të vogla në terren.
Morali i trupave është në një pikë të ulët edhe për shkak të taktikës së ‘valës njerëzore’, e cila pranon viktima të shumta. Ushtarët po ankohen gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale për ushqimin e keq dhe furnizimin katastrofik.
Fushata e bombardimeve ndaj infrastrukturës së Ukrainës përfundoi më herët këtë dimër- mesa duket sepse mbaroi municioni. Ndërkohë Ukraina po eksporton sërish energji elektrike jashtë vendit.
Dhe nuk ka asnjë shenjë se mbështetja perëndimore për Ukrainën po dobësohet- përkundrazi. Përveç tankeve, Ukraina tani po merr avionë luftarakë nga Polonia, edhe pse janë avionë të vjetër MiG-20 nga rezervat e Republikës Demokratike të Gjermanisë.
Kjo është arsyeja pse Këshilli i Atlantikut analizon: “Do të jetë edhe më e vështirë për Putinin të gjejë tonin e duhur në fjalimin e këtij viti në Ditën e Fitores”.
“Gjatë gjithë epokës së Putinit, Dita e Fitores ka shërbyer për të demonstruar forcën e rigjetur të Rusisë. Por festa e këtij viti mund të bëhet një simbol i dobësisë në rritje të regjimit të tij”.