Casillas: Serie A ishte bërë e mërzitshme
Iker Casillas, në një intervistë të fundit, ka thënë se është “mirë për futbollin italian” që skuadrat e tjera kanë filluar t’i japin fund dominimit të Juventusit.
Spanjolli tha për “DAZN” se i ka pëlqyer gjithmonë të shikojë ligën italiane, por se Serie A ishte bërë “e mërzitshme” kur vetëm një ekip konkurronte për titullin çdo vit.
“Më pëlqente shumë Serie A kur isha i ri, veçanërisht kur konsiderohej liga më e mirë në botë. Aty kanë luajtur të gjithë lojtarët më të mëdhenj”, tha fillimisht legjenda e futbollit spanjoll.
“E vërteta është se Serie A kaloi një periudhë në të cilën fitoi vetëm Juventusi dhe ishte bërë paksa e mërzitshme, por tani fakti që Napoli, si dhe Interi dhe Milani në vitet e fundit kanë ndalur dominimin e Juventusit, është mirë për futbollin italian”, shtoi ish-portieri i Real Madridit.
“A kam menduar ndonjëherë të luaj në Serie A? Të them të vërtetën, po, kam respektin maksimal për të gjitha skuadrat, por Real Madridi është Real Madridi”, deklaroi 41-vjeçari.