Si u fsheh krimineli më i kërkuar në botë në lagjen më luksoze të Beogradit?!

“Mbreti i kriptomonedhës” i cili akuzohet për mashtrim në vlerën e pabesueshme 40 miliardë dollarë dhe u arrestua së fundmi në Mal të Zi, dikur ka qenë qytetar i Beogradit. 

Sipas DL news , Do Kwon fshihej në një apartament luksoz në lagjen elitare të Beogradit, Dedinje, dhe prona ku jetonte ishte blerë për 2 milionë euro.

Ai kërkohej nga autoritetet e tre vendeve, Koreja e Jugut e lindjes, Singapori dhe SHBA-ja, për një mashtrim "të rëndë" 40 miliardë euro dhe Koreja e Jugut lëshoi ​​një urdhër për mashtrim dhe për shkelje të Aktit të Tregjeve të Kapitalit. 

Ai u arrestua në Mal të Zi, në aeroportin e Podgoricës më 23 mars të këtij viti. 

Gjatë arratisjes ka qëndruar për një kohë në Beograd, natyrisht në Dedinje, lagje elitare në Beograd, në një apartament prej dy milionë eurosh, në kompleksin “Ambasador Park” dhe objekti ndodhet në rrugën “Sime Lozanića”.

Në dokumentin e kadastrës, të siguruar nga DL news, rezulton se apartamenti dupleks është blerë nga shtetasi koreano-jugor Han Chang Jun, i cili u arrestua së bashku me Do Kwon, kur donin të arratiseshin nga Mali i Zi me një avion privat për në Dubai.

Han bleu edhe dy vende parkimi në kompleksin "Ambassador Park" në lagjen elitare të Beogradit Dedinje.

Kwon kërkohet nga autoritetet në disa vende për rolin e tij në shembjen e "Terra" majin e kaluar, i cili i kushtoi investitorëve 60 miliardë dollarë. 

Interesant është fakti se ambasada e Koresë së Jugut, e cila kërkonte shtetasin e saj Do Kwon, ndodhet 6 minuta me makinë nga banesa ku fshihej i arratisuri. 

Siç shkruan DL news, “kjo do të thotë se hetuesit nga Lindja e Largët, të cilët bashkëpunuan me policinë lokale për gjetjen dhe arrestimin e të arratisurve, ishin shumë më pranë tyre sesa mund ta imagjinonin”.

 

Për t'i bërë gjërat edhe më keq, uebsajti i Koresë së Jugut Digital Assets raportoi se adresat IP nga të cilat u aksesuan llogaritë e mediave sociale të Kwon korrespondonin me adresën e banesës në kompleksin "Ambassador Park" ku jetonin Kwon dhe Han.

Edhe pse i kërkuar nga Interpoli, Do Kwon ndonjëherë shfaqej në podkaste dhe në mediat sociale, duke u ndjerë rehat në arratisjen e tij nga ligji dhe madje bëri një deklaratë për New York Times në fillim të marsit: "Ata padyshim e dinë se ku jam".