Rrjedhja e dokumenteve sekrete/ Ja çfarë rrezikon spiuni i Pentagonit
Nga Herbert Bauernebel, BILD
Makina të blinduara të FBI-së, agjentë me armë sulmi, një perimetër i mbyllur hermetikisht nga forcat e rendit. Papritur, qyteti i vogël idilik Dighton me vetëm 8100 banorë duket si një skenë krimi!
Dhe gjithçka për shkakun e tij: Jack Teixeiera, 21 vjeç. Gardisti akuzohet për rrjedhjen e dokumenteve të Pentagonit, tradhtia më e rëndë ndaj sekreteve shtetërore në SHBA prej një dekade.
Kur u arrestua nga oficerët e policisë federale, ai nuk bëri rezistencë. Me duart pas shpine, 21-vjeçari, i veshur me bluzë dhe pantallona të shkurtra të kuqe, marshoi në mënyrë stoike drejt furgonit të shoqërimit i rrethuar nga agjentët e FBI-së.
Arrestimi i ushtarit të ri është kulmi i një trilleri të vërtetë të inteligjencës që mbajti mbërthyer botën, bëri Amerikën të djersijë dhe dëmtoi rëndë marrëdhëniet ndërkombëtare.
Më shumë se 500 dokumente nga shërbimet sekrete amerikane qarkulluan në forumet e internetit. Përmbajtja: gjithçka, që nga pozicionet e mbrojtjes kundërajrore në Ukrainë, analizat për dobësinë e forcave të armatosura ruse dhe ukrainase, supozimet për një kancer të mundshëm të Vladimir Putin- dhe se si shërbimet e inteligjencës amerikane bënin përgjime në nivele të larta, duke përfshirë edhe shefin e OKB-së, Antonio Guterres.
Vetë Pentagoni e përshkroi rrjedhjen si një ‘rrezik serioz për sigurinë kombëtare’. Për të mos folur pastaj për turpin ndërkombëtar.
Teixeira, një entuziast i armëve dhe lojërave, thuhet se është përgjegjës për gjithçka.
Çfarë do të ndodhë pas arrestimit?
Ushtari, që punonte si specialist i IT për krahun e inteligjencës në Gardën Kombëtare Ajrore të Masaçustes, është planifikuar të dalë përpara një gjyqtari në Boston të premten në mëngjes me orën lokale.
Aktakuza e mundshme ka të ngjarë të jetë për spiunazh. Nëse shpallet fajtor, spiuni mund të përballet me një dënim me burg deri në dhjetë vjet.
Gjyqi i plotë pritet të zhvillohet në shtetin e Virxhinias, pranë kryeqytetit Uashington.
Puna e Teixeira, që mbante titullin ‘specialist i sistemeve të transportit kibernetik’, përfshinte ndërtimin e rrjeteve të komunikimit të nivelit kombëtar, duke përfshirë vendosjen e kabllove, vendosjen e ruterave dhe instalimin e softuerëve.
A duhej të shkatërroheshin dokumentet?
Se si i siguroi Jack Teixeira këto dokumente sekret (shumica prej të cilave me klasifikimin më të lartë sekret), mbetet e paqartë. Një zyrtar i Pentagonit i tha agjencisë AP se i riu ishte i autorizuar të shikonte dosjet sekrete, sepse ai ishte përgjegjës për sigurinë e këtyre rrjeteve.
Në CNN, një tjetër ekspert spekuloi se Teixeira madje mund t’i kishte gjetur dokumentet në një ‘thes’ të destinuar për shkatërrim, një i ashtuquajtur ‘Burn Bag’.
Sido që të jetë, që një ushtar i rangut të ulët, kishte akses në sekretet kryesore të Amerikës, është një çështje që po debatohet ashpër në SHBA.
Priten kritika politike ndaj qeverisë së presidentit amerikan, Joe Biden, pas rrjedhjes më të rëndë që nga koha e Edëard Snowden, i cili ekspozoi shërbimin sekret NSA në vitin 2013. Drama aktuale po lë në hije vizitën e Biden në Irlandën e Veriut.
Pse i publikoi dokumentet Teixeira?
Teixeira ishte personazh kryesor në një forum diskutimi në platformën e lojtarëve ‘Discord’. Pseudonimi i tij ishte ‘Thug Shaker Central’. Atje ai komunikonte me 20 deri në 30 pjesëmarrës, kryesisht të rinj. Shpesh flitej për armë, ndonjëherë ata qeshnin me meme raciste dhe sigurisht që flisnin për video-lojërat.
Duket se spiuni i dyshuar ishte më shumë një mburravec se një ideolog: mesa duket ai donte të tregonte se kishte akses te sekretet. Gjatë shqyrtimit të dokumenteve, nuk është bërë ende e qartë nëse ai favorizonte një nga dy palët ndërluftuese në Ukrainë.
Gjithashtu një fakt i turpshëm për autoritetet federale në SHBA është se gazetarët e ‘New York Times’ e kishin identifikuar Teixeira përpara se FBI të ndërmerrte aksionin.