Bebet e sapolindura dhe kutitë ku braktisen, polemika e re në Itali
Në Itali, një grua që - për çfarëdo arsye - vendos se nuk mund të kujdeset për fëmijën e saj, mund ta lërë atë në një kuti të sigurt për fëmijë, në anonimitet të plotë.
Është gjithnjë e më e rrallë për gratë italiane që të zgjedhin këtë opsion, por gjithsesi ndodh.
Gjatë Pashkëve, një grua vendosi ta braktiste në mënyrë anonime djalin e saj në një kuti të tillë në një nga spitalet më të mëdha të Milanos, Policlinico di Milano.
Shumë do të thoshin se ngjarja duhet të ishte private, siç sugjeron koncepti i anonimitetit. Por nuk ishte.
Në vend të kësaj, emri i djalit, Enea dhe letra që i la nëna, u përcollën në media nga mjekët, të cilët i bënin thirrje nënës të ndryshonte mendje dhe të merrte fëmijën e saj.
Duke cituar fjalët e nënës se ajo e donte djalin e saj, por nuk mund të kujdesej për të, prezantuesi televiziv Ezio Greggio, një figurë e njohur në Itali, publikoi një video në mediat sociale duke i ofruar gruas ndihmë financiare për të mos "braktisur" foshnjën e saj.
"Një foshnjë ka nevojë për nënën e saj të vërtetë," tha ai, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga prindërit birësues në mbarë botën.
Debati i ashpër që pasoi u fokusua në atë se çfarë lirie kanë gratë italiane mbi trupin dhe shtatzëninë e tyre, pavarësisht nga legjislacioni ekzistues që mbështet autonominë e tyre, të paktën në letër. Shumë të tjerë thjesht u hutuan nga fakti se lindjet anonime dhe kutitë e sigurta të foshnjave ekzistonin ende në vendin e tyre.
Si ndodh që lindjet anonime dhe kutitë e sigurta të foshnjave janë ende një gjë në Itali?
“Në Itali, ka ekzistuar gjithmonë mundësia, e rregulluar me ligj, që gratë t'i lënë foshnjat e tyre në spital në momentin e lindjes,” tha për Euronews Elisabetta Canitano, një gjinekologe dhe presidente e OJQ-së për të drejtat e abortit Vita di Donna.
“Kjo mund të bëhet në dy mënyra: ose nëna shkon në spital para lindjes dhe i bën të ditur se dëshiron të lindë në mënyrë anonime dhe ta lërë fëmijën aty, ose mund të thotë se dëshiron të lindë në mënyrë anonime.”
Në atë moment, stafi i spitalit dhe shërbimet sociale bien në kontakt me një familje birësuese, e cila do të jetë gati për të marrë foshnjën pas një periudhe prej 10 ditësh që i është dhënë nënës për të rishqyrtuar zgjedhjen e saj.
"Ne nuk kemi në përdorim ndonjë kuti të sigurt për fëmijë, siç mund ta shihni," tha Canitano. "Gratë që nuk dëshirojnë t'i mbajnë foshnjat e tyre mund t'i lënë në mënyrë të sigurtë dhe anonime pranë stafit të spitalit. Dhe ka me bollëk njerëz të gatshëm t'i birësojnë këto foshnje."
Megjithatë, ato kuti për fëmijë ekzistojnë ende, shkruan Euronews.