‘Pinë kafe së bashku, qerasën fëmijët dhe u zhdukën pa gjurmë’. Nëna e Leonardit: Çfarë u gjet në makinë
Një makinë e marrë me qira nga Leonard Theodhori është lënë në anë të rrugës, e parkuar keq dhe brenda së cilës janë gjendur pak sende personale të tijat.
Kaq është gjithçka që është mundur të bëhet me dije ditën e djeshme për zhdukjen pa gjurmë të dy burrave në Sarandë, miq me njëri-tjetrin. Policia e Shtetit dhe ajo e Sarandës heshtin ndërkohë që prej datës 6 prill dy burrat nuk kanë më asnjë kontakt me njerëzit e tyre. Policia pretendon që ka nisur kërkimet, por nuk dihet ende se në çfarë rrugësh dhe terrenesh po kërkohet. Madje, nuk bëhet me dije ende nëse ka ndonjë pistë për të mundësuar gjetjen e tyre. Referuar të dhënave konfidenciale bëhet me dije se dy personat mund të kenë kaluar edhe kufirin në drejtim të Greqisë, por nuk shpjegohet se përse nuk kanë komunikuar me familjen e tyre asnjëri. Nëna e Leonardit ka folur për mediat lokale, duke kërkuar përgjegjësinë e shtetit të ndërhyjë për të mundësuar gjetjen e tyre, pasi ajo beson se djali i saj, po as shoku i tij, Fatmir Sulovari, të kenë probleme me ndonjë person, pasi ata kanë lëvizur gjatë gjithë kohës nëpër Sarandë dhe Shqipëri pa pasur frikë nga asnjë gjë.
Vendi ku janë parë për herë të fundit
Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori, të dy të moshës 46-vjeçare, prej 7 ditësh rezultojnë të zhdukur. Policia e Sarandës po kryen hetime, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë në rrugë dhe marrjen në pyetje të disa personave, kryesisht lidhje shoqërore të dy të zhdukurve. Dy djemtë janë parë për herë të fundit në fshatin Çukë, të dënuar për drogë, armë e tentativë vrasje. Banorët jashtë kamerës rrëfejnë se ditën e enjte, 6 prill, rreth mesditës Fatmir Sulovari kishte ardhur për të takuar Leonard Theodhorin që banonte në këtë fshat. Të dy kanë pirë kafe në lokalin e fshatit ku mësohet se kanë qëndruar rreth 40 minuta, kanë qerasur me pije freskuese disa fëmijë, që ndodheshin rastësisht aty dhe janë larguar nga fshati. Prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tyre!
Siç bëhet me dije nga burime lokale mësohet se Theodhori është i papunë, ndërsa miku i tij, Fatmir Sulovari, që banon në qytetin e Sarandës është pronar i një restoranti të njohur në bregdetin e Ksamilit, “Eldorado”. E vetmja gjë që u bë me dije nga ana e Policisë për ta është se të dy kanë një të shkuar të theksuar kriminale, ku Leonard Theodhori ka qenë i dënuar disa herë për moskallëzim krimi, vjedhje dhe mashtrim. Ndërsa në vitin e largët 1997 ishte i dyshuar për Masakrën e Qafë-Gjashtës, ku u vra dhe më pas u dogj oficeri i Policisë, Gjergj Mehmeti. Nga ana tjetër, Fatmir Sulovari, që njihet edhe me emrin Fatmir Krasniqi, ka qenë i dënuar për armë dhe plagosje, ndërsa në 2022 ishte arrestuar me disa doza kanabis në makinë. Burimet e Policisë thanë se zhdukja e tyre ka prapavije kriminale, por ende nuk dihet se cili është fati i tyre kur kaluan 8 ditë nga zhdukja pa gjurmë.
Nëna e Leonardit
76-vjeçarja Evanthia Theodhori, nëna e Leonardit, ka kërkuar ndihmën e shtetit që të gjendet djali i saj dhe miku i tij, të cilët një javë më parë kanë qenë bashkë dhe janë zhdukur pa gjurmë, duke lënë në anë të rrugës një makinë të marrë me qira. Ajo ka folur për mediat lokale ku ka treguar pak detaje nga ato çka di në lidhje me humbjen e gjurmëve të të birit: “Për herë të fundit e kam takuar djalin të enjten e 6 prillit. Më çoi te motra ime e më pas iku me një shok për të marrë ushqim. Me sa mora vesh, kishte shkuar te një lokal rrugës për Ksamil dhe ishte kthyer. Këtë e mësova pasi pyeta kur nuk po e gjeja. Prej asaj nate nuk e kam parë më. Të premten, në hyrje të Çukës, kam vënë re makinën që përdorte djali të parkuar keq dhe çuditshëm buzë rrugës. Më bëri habi ai lloj parkimi. Kam pyetur dhe kam kërkuar për djalin, por nuk e gjeta dhe askush nuk dinte gjë. Edhe banorë të fshatit më thanë që ishte e çuditshme si ishte lënë ashtu makina. Makina ishte e marrë me qira, nuk ishte e tij. Kur erdhi pronari i kompanisë për ta marrë, mezi u hap. Në makinë në pamje të jashtme nuk kishte gjë, ndërsa në kroskot më vonë u gjet patenta, karikuesi dhe ilaçet që përdorte djali. Kjo më bën të dyshoj më shumë, sepse ai pa ilaçe nuk ikte kurrë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, në lidhje me njohjen dhe miqësinë mes dy të zhdukurve, e moshuara ka pranuar jo vetëm që njihen, por që Fatmiri kishte qenë edhe në shtëpinë e saj disa herë bashkë me të birin. “Po, është nga Fieri. Është shok me djalin. Ka pasur një lokal në Ksamil, me sa di. Jam takuar me njerëzit e tij, më thanë që është zhdukur edhe ai.
Shokë ishin. Vinte edhe te shtëpia jonë. Ka sjellë edhe pantallona e bluzë që t’ia laja unë. Kam kontaktuar dhe më kanë thënë që përpjekjet tona janë të mëdha për të gjetur djalin. Unë kërkoj ndihmën e shtetit, të gjitha instancat të ngrihen në këmbë për Leonardin tim”.