Belind Këlliçi lexon letrën e 11-vjeçarit në studio, çfarë dëshiron ai nga Bashkia

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi, ka marrë me vete në studion e Çim Peka Live në Syri Tv, letrën që një 11-vjeçar i ka lënë në dorë në një ambjent ku ai po ndiqte ndeshjen e 'Champion League'.

Letra e 11-vjeçarit është një rrëfim se si ai e kalon pasditen në lagjen e tij, ku nuk ka një shesh, apo një fushë futbolli.

"Përshendetje! Unë që po të shkruaj këtë letër jam Uesi, jam 11 vjeç në klasë të pestë dhe banjo në ''Don Bosko''. Në lagjen time ka vetëm një park ku mund të luajmë unë dhe shokët e mi, i cili nuk ka asnjë lodër por vetëm një shtëpi druri. Ju ka tharë dhe bari dhe mami nuk më lejon të luaj aty sepse ajri është shumë i ndotur. Në lagjen time nuk ka një fushë sporti, nëse ti do të kishe mundësi, a do ndërtoje një park për mua dhe shokët e mi? Në lagjen time ka vetëm makina të parkuara keq sepse nuk ka një parkim ku prindërit e mi dhe banorët e tjerë të mund të parkojnë. Aq keq parkojnë sa kur vjen makina e plehrave nuk e zë rruga të kalojë. Para disa muajsh ne mbetëm tre muaj pa ujë sepse u prish pompa e pallatit dhe unë ika tek nëna deri sa u rregullua pompa e ujit. Kur ti të bëhesh kryebashkiak, ne a do të kemi ujë pa ndërprerje dhe nuk do të degjojmë zhurmën e pompës së ujit në shkallët pallatit?! Se kur flas me shokun tim që ka ikur në Gjermani ai më tregon për qytetin ku jeton. Pse unë nuk mund të jetoj në një qytet të bukur të qetë dhe të pastër si ai? A më premton mua dhe gjithë bashkmoshatarëve të mi që ti do ta duash Tiranën dhe do ta bësh si kryeqytetet e tjera nëpër botë!? Me shumë dashuri Uesi!

Kandidati i opozitës tha se kjo letër është një skaner shumë real për gjendjen se si janë lagjet dhe komunitetet në Tiranë, përtej propagandës së Bashkisë.

Këlliçi ka theksuar se mundësitë janë, shanset ekzistojnë, dhe buxheti mjafton për të ofruar shërbime, por taksat abuzohen e vidhen.

Këlliçi solli si shembull ndërtimin e shkollave. 

Me të njëjtin kapacitet, BE e ndërton këtu një shkollë me 650 mijë euro, FSHZH me 700 mijë euro, ndërsa Veliaj me 2 milionë euro.

'Çfarë është kjo?' - ngriti pyetjen Kelliçi.