Shehaj komenton raportin e FMN: Shqetësues hendeku i madh mes shtresave të pasura dhe të varfëra

Shqipëria është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si shteti më i varfër të Evropës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë.

Ekspertja e financave Brisida Shehaj, e ftuar në Edicionin e Pasdites në Syri Tv, komentoi këtë raport teksa u shpreh se ajo çfarë vazhdon të ngelet më shqetësuese në Shqipëri është pikërisht hendeku i madh mes të varfërve dhe të pasurve .

"Ajo që ne kemi shume vite qe e theksojmë është hendeku i madh mes të varfërve dhe të pasurve në këtë vend, pra të gjitha këto investime dhe gjithë këto politika qeverisëse po pasurojnë një pjesë shumë të vogël njerëzish që tashmë nuk janë as 5 përqind, po numërohen me gishta. Dhe ndërkohë varfëria në këtë vend po rritet. Por, ajo çfarë mua më shqetëson edhe më shumë është një problematikë tjetër që këto raportet ndërkombëtare herë e thonë herë nuk e thonë. FMN në fund të 2022-shit foli për këtë flluskën e madhe dhe kishte frikën e saj në investim dhe ndërtim Real estate në Shqipëri. Mos harrojmë që dhe rritja ekonomike e vendit tonë varet në masën më të madhe nga ndërtimi, këtë radhë u shtua dhe kjo si një e ardhur ekonomike dhe nga energjia elektrike, pra ne kemi një buxhet vendi që varet nga ndërtimi, dhe kemi një defiçent në krye të bashkisë së Tiranës i cili flet me mburrje shumë të madhe që 50 përqind e të ardhurave vijnë nga taksat e ndërtimit.

Ne jemi në një problem shumë të madh, pronat e vjetra nuk kanë asnjë rritje të vlerës, pronat tona të familjes time personalisht të ndërtuar në 96 nuk ka rritje vlerë prej shume vitesh sespe janë prona pa mundësi për parkim dhe me betone ngjitur dhe ky flet vetëm për pallatet e reja të cilat siç thotë dhe drejtoria e përgjithshme e pastrimit të parave blihen nga disa njerëz, si gjysma e pallatit, nga i njëjti individ. Ata  njerëz që kanë blerë prona me vlerë 300-400 mijë euro më vjen keq ta them por do vijë momenti që do të ketë një zhvlerësim të pronës sepse ky nuk është treg real".