Ten Hag bën gati listën me 13 të padëshiruar, lojtarët që do të largohen nga Mançester Juanjtid

Kush mendonte se Erik Ten Hag kishte në plan vetëm largimin e Kristiano Ronaldos nga Mançester Junajtid për të punuar i qetë, është gabuar rëndë.

Trajneri duket se gjatë këtyre muajve ka bërë bilancin e plotë të lojtarëve që ka në dispozicion dhe tashmë sipas mediave angleze, i ka dorëzuar klubit listën e të padëshiruarve.

Nuk janë pak, por 13 futbollistë të cilët nuk përmbushin pritshmërinë e trajnerit të Mançester Junajtid.

“Daily Mail” bën të ditur se trajneri holandez kërkon largimin e tyre në mënyrë që të jetë i qetë që të ndërtojë një skuadër sipas ideve të tij, për të synuar fitoren e titullit kampion në Premier Ligë.

Emri më i njohur është padyshim Herri Meguajër. Trajneri nuk i beson më qendërmbrojtësit të përfaqësueses së Anglisë dhe paraqitjet e këtij të fundit i japin të drejtë.

Do të kërkohet largimi i tij në verë, pasi tashmë në klub besojnë se nuk ka vend për Meguajër në planet e klubit.

Emrat e tjerë në listën e atyre që pritet të largohen në verë janë Antoni Elanga, Erik Beili, Aleks Tejes, Aron Uan-Bisaka, Doni Van de Bek, Brendon Uilliams, Antoni Marsial, Fakundo Pelistri, Amad Diallo, Viktor Lindelof, Fil Xhouns dhe Skot MekTominei.

Largime të cilat do të “sponsorizojnë” blerjet e reja në verë, sipas ideve të Ten Hag.