Kallaji i rrogave
Ditë për ditë, deri në ditën e fundit të fushatës elektorale, do të durojmë propagandën e Edi Ramës për rrogat.
Që nga ushtari deri te admirali, nga pastruesja, mamia e infermieri, te shefi i shërbimeve, nga mësuesi te drejtori i shkollës, do të shohim postera të “njerëzve në kërkim” me dy rroga.
Një rrogë që kanë dhe një rrogë që u premtohet vitin tjetër.
Këto postime të pështira propagande në instagrimin dhe facebook -un e kryeministrit merren dhe lexohen si “lajme” nga televizionet kombëtare.
Duhen mirëkuptuar ata që kanë dhënë fytyrën në shërbim të propagadës, por edhe atyre u duhet bërë e qartë hileja.
Edhe pse kanë dhënë leje me hir apo pahir, nuk po shënoj emrat dhe mbiemrat, sërish për hir të një njerëzillëku nuk po përmend emrat, por po merrem me shifrat.
Po e nisim nga pagat e larta.
Një mjekeje që i premtohet se do ta ketë pagën e re vitin tjetër 220.300 lek, sigurisht që nuk do të marrë kaq lekë.
44.760 do të jenë taksa, pra hileja mes pagës bruto dhe pagës neto.
Ose paga e mjekes specializante që ka dalë në një foto duke qeshur a thua se ka fituar llotarinë pa blerë biletë, paga e re 148.116, sigurisht që nuk do të kalojnë kaq para në llogari bankare, do të kalojnë vetëm 116.172, sepse 31.944 do të jenë taksa.
Çfarë mund të themi për nëndrejtoreshën e shkollës që paga vitin tjetër i premtohet se do të jetë 99.042, rrumbullak 20.068 lek do të jenë taksa.
Nuk po llogarisim inflacionin deri vitin tjetër, nuk po llogaritim as rritjen e çmimeve, nuk po llogaritim asgjë, thjesht po vëmë në dukej një hile për çmontim propagande.
Njeriu që vjet klithte që ç’janë këto protesta se po na turpëroni në sytë e Evropës se është lufta në Ukrainë, se është koha për sakrifica, befas i ka ardhur goja për pagat- dhe kur, 30 ditë para zgjedhjeve.
Është film i parë: me 4000 doza fajzer të marrë kontrabandë nga Italia prodhoi 5000 lajme.
Nuk vaksinoi mjekët, por bënte 30 vaksina në ditë për “personalitetet” në stadium që të bëhej lajm se ky gjeti “vaksinat”.
10 vjet në qeveri nuk përmendi pagat.
4 muaj përpara kur miratoi buxhetin nuk përmendi pagat.
Tani që sondazhet i tregojnë problemin më të madh të shqiptarëve- mjerimin, koston e jetesës, tani e mbush instagramin me qyqarë të administratës publike që pranojnë t’u merret erzi publikisht.
Duroni edhe 4 javë dhe do të shihni sërish Edi Ramën e vërtetë, atë që keni parë këto 10 vite, atë që firmos fët e fët e fët e fët, atë që korruptoi McGonigal, ideatorin e aferës së incineratorëve, njeriu që ka bërë të mundur që një km rrugë në Shqipëri të jetë minimumi 5 herë më e shtrenjtë se në vendet e BE-së.
Njeriun që ka konsumuar 10 buxhete të shtetit dhe thotë se “fillimi është i vështirë”.
Votues jini vigjilent!!!
Rama sjelljen e ndryshon, por zakonin se harron. Njerëz. Po tallet me punën dhe djersën tuaj.
Ju takson në mënyrë progresive dhe ju mashtron po ashtu në mënyrë progresive.