Joe Biden tërbon sërish britanikët/ Shtëpia e Bardhë 'korrigjon' gafën e tij
Presidenti amerikan, Joe Biden, tërboi sërish britanikët gjatë vizitës që po zhvillon në Irlandë.
Biden nuk i ka fshehur ndjenjat e tij për Britaninë, aq sa mediat angleze si Daily Mail raportuan se atij i vjen turp nga ‘rrënjët e tij britanike’.
Në një rast ai kishte thënë se gjyshërit e tij nuk ishin edhe aq të çmendur pas mbiemrit që kishin. Kurse njëherë nuk pranoi të fliste për BBC, duke u thënë se ‘unë jam irlandez’.
Por gafa e fundit u regjistrua teksa Biden po fliste në një bar të mbushur në Irlandë.
Presidenti amerikan tha se kishte veshur një kravatë me simbolin irlandez, të cilën ia kishte dhënë Rob Kearney, një kushëri i largët i tij që luan regbi.
“Ai i ka mundur disa herë keq ‘zi-kuqërremsat’,” tha Biden, duke shkaktuar të qeshura në lokal.
Termi ‘zi-kuqërremsa’ përdoret për një forcë ndihmëse policore britanike të dërguar në Irlandë në vitet 1920 për t’u përballur me ekstremizmin e IRA-s.
Republikanët irlandezë e përmendin këtë forcë policore në këngë për brutalitetin e tyre, ndërsa edhe sot kënga ‘Hajdeni nëse ua mban o ‘zi-kuqërremsa’’, është një hit mes grupeve rebele irlandeze.
Shtëpia e Bardhë u mundua të korrigjonte këtë gafë, duke thënë se bëhet fjalë për ‘të zinjtë’, me të cilin njihet ekipi kombëtar i regbisë në Zelandën e Re.