‘Jam krenar për ty’/ Joe Biden vlerëson djalin e ‘mbytur’ nga skandalet
Presidenti amerikan, Joe Biden, i kërkoi të birit, Hunter që të ngrihej në këmbë dhe të vlerësohej në Irlandë, duke i thënë se është krenar për të. Biden po viziton Irlandën si pjesë e një turi te rrënjët e familjes presidenciale.
“Unë jam këtu me motrën time, Valerie dhe me djalin tim më të vogël, Hunter Biden. Çohuni djema, jam krenar për ju,” tha presidenti 80-vjeçar.
Hunter Biden është i ‘mbytur’ në skandale, shkruan gazeta NY Post.
Fakti që Biden vendosi ta merrte me vete në një vizitë presidenciale, ka ngritur shumë pikëpyetje. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se shpenzimet e Hunter dhe hallës së tij nuk do të mbulohen nga taksapaguesit, ndërsa nuk është e qartë se çfarë do paguajnë ata.
Mediat amerikane raportojnë se kjo vizitë vjen në kohën kur hetimet ndaj Hunter Biden janë nxehur.
Zyra e prokurorit në shtetin e Delauer ka nisur një hetim penal për biznesin dhe marrëdhëniet tatimore të Hunter Biden në vitin 2018.
Ndërkohë, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur hetimin e tyre për marrëveshjet e biznesit të Hunter Biden dhe çdo përfshirje të mundshme të babait të tij.
Kujtojmë se Hunter Biden dyshohet se ka përfituar në mënyrë të parregullt nga një kompani kineze, e quajtur CEFC.
Në këtë aferë është i përfshirë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, së bashku me këshilltarin ‘hije’, Dorian Duçka. Të dy mendohet se kanë përfituar nga kompania e lidhur me Partinë Komuniste të Kinës.
Më herët, mediat amerikane raportuan se partneri në biznes i Hunter Biden e kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë më shumë se 80 herë gjatë kohës kur Joe Biden ishte zëvendëspresident.