Dokumentet sekrete të Pentagonit: Shefi i OKB-së, shumë i butë me Rusinë

Qeveria e SHBA-së beson se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është shumë i gatshëm për të mbrojtur interesat ruse.

Sipas zbulimeve më të fundit mes dokumenteve të klasifikuara, të publikuara tashmë online në rrjet, Uashingtoni thotë se po monitoron nga shumë afër, Antonio Guterres.

Në disa dokumente përshkruhen komunikimet private mes z.Guterres dhe zëvendësit të tij. Ky është zbulimi më i fundit pas daljes së dokumenteve top-sekret, për të cilat zyrtarët amerikanë thonë se do t’i shkojnë deri në fund. Në dokumente përfshihen vëzhgimet që z.Guterres ka bërë për luftën në Ukrainë si dhe për një sërë liderësh afrikanë.

Diku flitet për dokumente të fokusuara mbi marrëveshjen e grurit në Detin e Zi, të arritur me ndërmjetësimin e vetë OKB dhe Turqisë korrikun e shkuar, mes frikës për një krizë ushqimore globale.

Në raportet konfidenciale, thuhet se z.Guterres ishte shumë i butë, aq sa ishte i gatshëm të arrinte marrëveshjen që do të mbronte interesat e Rusisë.

Ndërsa ka zëra që pretendojnë pasaktësi në mesin e informacioneve, zyrtarë të Pentagonit janë cituar të thonë se dokumentet janë reale. Sipas materialeve të shqyrtuara nga disa media ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara janë pesimiste mbi gjendjen e luftës në Ukrainë, dhe e venë theksin te dobësia në armatimet dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Uashingtoni parashikon një ngrirje të luftës përgjatë muajve në vazhdim.