Kush janë dy personat që u zhdukën pa lënë gjurmë, njëri prej tyre i hetuar për masakrën e Qafë Gjashtës

Dy persona me precedentë të rëndë penalë janë zhdukur në Sarandë 7 ditë më parë, ndërkohë që Policia e ka bërë me dije ngjarjen vetëm ditën e djeshme, pra 6 ditë pas zhdukjes së tyre.

Denoncimet në Polici janë kryer nga familjarët e dy personave, ndërkohë që bëhet me dije se njëri është nga Fieri dhe tjetri është nga Saranda. Duke parë të shkuarën e tyre, që sipas Policisë e kanë të mbushur me implikime në ngjarje mjaft të rënda, dyshimet janë për ndonjë rrëmbim të tyre, ndërkohë që Policia bën me dije se ka nisur kërkimet dhe hetimet në një sërë pistash dhe territoresh.

Referuar të dhënave të pakta që vijnë nga Saranda mësohet se dy të zhdukurit kanë të njëjtën moshë dhe njihen me njëritjetrin, ndërkohë që njëri prej tyre është i akuzuar si pjesëmarrës në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë në 3 dekadat e fundit. Hetimet dhe kërkimet mësohet se janë shtrirë edhe në Greqi, ndërkohë që ende nuk dihet nëse është ndaluar apo shoqëruar ndonjë person. Policia mësohet se ka siguruar një mori dëshmish përveç atyre të familjarëve, por ende nuk ka një informacion për momentin e fundit që mund të jenë para në Sarandë apo edhe në ndonjë vend tjetër.

Policia

Sipas të dhënave të Policisë së Sarandës u bë me dije dje se prej 6 ditësh kanë humbur gjurmët me familjarët shtetasit Leonard Thodhori, 46 vjeç, banues në fshatin Çuke, Sarandë dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, banues në Sarande. Policia e Sarandës prej orësh po kryen këqyrje kamerash sigurie, kontrolle të ndryshme. Ende nuk ka një pistë hetimi lidhur me zhdukjen e dy personave.

Edhe familjarët janë vënë në kërkim. Kallëzimi për zhdukjen e Leonard Thodhorit është bërë nga e ëma e tij, E.Th, 76 vjeçe. Ndërsa kallëzimi për zhdukjen e Fatmir Sulovarit e ka bërë vëllai i tij, G.P, 53 vjeç. Policia ka marrë në pyetje disa persona për zhdukjen e tyre, ka nisur verifikimin e konflikteve dhe po ashtu ka dyshime të forta që të dy personat kanë qenë bashkë në momentin e zhdukjes. Dyshohet se familjarët janë vonuar në denoncimin e rastit pasi ata mund të kenë menduar se ata mund të kenë lëvizur jashtë vendi, ndërkohë që janë kërkuar edhe tabulatet telefonike të të dyve. Po ashtu, janë kërkuar informacione nëpër të gjitha pikat kufitare për të mësuar se mos kanë mundur të largohen jashtë vendi, ndërkohë që policia po kryen edhe kontrolle territori për të rënë në gjurmët e tyre, duke pasur parasysh se nuk mund të përjashtohet asnjë nga pistat e hetimit dhe të dyshimit.

Të zhdukurit

Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë dhe i dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i Policisë, Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003, ka qenë i pranishëm në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW X5” u gjet një sasi kanabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Policia e Sarandës vazhdon në mënyrë intensive mbledhjen e provave që mund të çojnë në zbardhjen e zhdukjes misterioze të dy 46-vjeçarëve në Sarandë. Mësohet se Policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht lidhje të Leonard Theodhorit, të cilët pritet të japin dëshmi lidhur me zhdukjen e tij. Familjarë të këtij të fundit konfirmojnë gjithashtu miqësinë e tij me të zhdukurin tjetër, Fatmir Sulovari. Siç bëhet me dije, ky i fundit rezulton pronar i një Bar-Restoranti në Ksamil të quajtur “Eldorado”, ndërkohë bëhet me dije se në muajin maj 2020 është plagosur me thikë në një konflikt. Nuk përjashtohet mundësia që zhdukja e tyre të ketë prapavijë kriminale dhe mësohet se policia po kërkon edhe kontaktet më të fundit të të dy personave.