Skandali në SHBA/ Administrata e Biden u përfshi në bastisjen e banesës së Trump në Mar-a-Lago

Administrata e Joe Biden në SHBA është përfshirë në bastisjen e banesës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Skandali u raportua nga rrjeti amerikan, Fox News.

Sipas televizionit të njohur, pavarësisht se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u shprehën të befasuar nga operacioni në Mar-a-Lago, dokumentet tregojnë se qeveria ishte e përfshirë. Të dhënat janë siguruar nga grupimi ‘America First Legal’.

“Të dhënat sugjerojnë se zyrtarët e Biden në Zyrën Ekzekutive të Presidentit dhe Departamentin e Drejtësisë abuzuan në mënyrë të paligjshme me pushtetin dhe më pas gënjyen popullin amerikan për këtë gjë,” tha Reed D. Rubinstein, këshilltar i lartë juridik dhe drejtor i mbikëqyrjes pranë ‘America First Legal’.

“Kjo qeveri, mesa duket e pranon se nuk njeh kufi në fuqinë e saj për të ngacmuar, frikësuar dhe heshtur kundërshtarët e saj politikë”.

Të dhënat tregojnë se FBI siguroi fillimisht akses në të dhënat e Trump përmes një ‘kërkese speciale për akses’ nga Shtëpia e Bardhë e Biden.

Sipas dokumenteve, përgjegjësi i Arkivës Kombëtare, John Laster, ishte i përfshirë në hetimin e Departamentit të Drejtësisë, edhe pse më herët kjo gjë ishte mohuar nga Arkiva Kombëtare.

Skandali është i rëndë për shkak se aksesi special për dokumentet e një ish-presidenti jepet vetëm kur të dhënat në fjalë nevojiten për ‘kryerjen e aktivitetit aktual në Shtëpinë e Bardhë’.

“Dhënia e dokumenteve për Departamentin e Drejtësisë për qëllime të një hetimi penal nuk është ‘aktivitet aktual’ i Shtëpisë së Bardhë,” thuhet në deklaratën zyrtare të ‘America First Legal’.

Drejtoresha në detyrë e Arkivës Kombëtare, Debra Wall pati deklaruar se administrata e Biden është e përfshirë në këtë skandal. Madje ajo pati lënë të nënkuptohet se i implikuar është vetë presidenti Biden.