'Programi i Belind Këlliçit ka krijuar entuziazëm'/ Meta: Po vjen një kryetar që mendon për qytetarët!

"Programi i Belind Këlliçit është pritur më entuziazëm të jashtëzakonshëm. Tirana do të ketë një kryetar që mendon për qytetarët". 

Kështu u shpreh kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga takimi që zhvilloi me strukturat e Partisë së Lirisë pasditen e sotme.

Meta u shpreh se programi i opozitës dhe kandidatit të saj për katër vitet e ardhshme është i jashtëzakonshëm. 

“Programi i kandidatit tonë Belind Këlliçit është një program që ka krijuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm në kryeqytet sepse më në fund po vjen një kryetar me një program për qytetarët. Përshëndes të gjithë këshilltarët tanë për punën e shkëlqyer që po bëjnë, Ka vend për të shtuar ritmin e komunikimit me të gjithë qytetarët. Jeni me fat që kemi një program të shkëlqyer me të cilin keni të drejtë të kërkoni votën e çdo qytetari”, u shpreh Meta.

Ai theksoi se në katër vitet do të jenë qytetarët ata që do të vendosin se kush janë programet prioritare për ta.

“Nuk do ketë më taksa për shërbime që nuk ekzistojnë. E dinë më mirë banorët e Astirit se kush është më prioritare të bëhet sot për ta. Do të jenë qytetarët që do të thonë zërin e tyre dhe do jenë ekipi i shkëlqyer i këshilltarëve që do japë zgjidhjen e duhur për kërkesat e tyre. Emrin e kryesuesit të listës sonë e dinë të gjithë, doktor Alimehmeti. Shkoni pyesni te oborri i PS, listën e tyre nuk ka asnjë emër. Të gjithë zyrtarë dhe nëpunës të qeverisë”, tha ai.