SYRI TV/ Kërcënimi me vdekje për biznesmenin e druve, Myftaraj në SPAK: Më thanë se do të më vrisnin djalin

Vrasës me pagesë kishte kontraktuar Algert Alcani, punonjësi i bashkisë së Tiranës për të kërcënuar me jetë biznesmenin nga Cërriku, Eral Myftarajn. Ky i fundi ka treguar para prokurorëve të SPAK të gjithë korrespodencën mes dy personave të vënë nga djali i biznesmenit Shaqir Alcani. I gjithë konflikti ka nisur për një tender me vlerë prej 1 milionë eurosh të zhvilluar nga bashkia e Tiranës. Algert Alcani kishte dërguar Edmir Boçin dhe Luis Konomin për ta kërcënuar Myftaraj që të tërhiqej nga tenderi ose në të kundërt do t’i vrisnin djalin.

Nga SYRI TV

Detaje te reja kanë dalë në lidhje me kërcënimin e biznesmenit Eral Myftaraj. Para prokurorëve të SPAK ai ka dhënë të gjitha informacionet në lidhje me kërcënimet e marra nga Algert Alcani, djali i biznesmenit Shaqir Alcani.

Myftaraj ka treguar me hollësi që nga momenti i konkurimit në tender e deri tek kërcënimi me jetë për djalin e tij.

Sipas Eral Myftarajt, Algert Alcani ka dërguar për ta kërcënuar dy persona, njëri i identifikuar si Edmir Boçi nga Manatia e Lezhës dhe tjetri si Louis Konomi i cili identifikohej edhe me nofkën Çupja dhe që është me origjinë nga Burreli.

Këta dy persona që në nisje të tenderit i kanë kërkuar Myftarajt të tërhiqej nga gara e shpallur nga bashkia e Tiranës, ndërkohë që ky tender ishte i sigluar nga Algert Alcani pasi ai është vartës i Erion Veliajt.

Biznesmeni nga ëerriku nuk ka pranuar të largohet nga konkurimi dhe pas procedurave të rregullta ai është shpallur fitues.

Pas kësaj periudhe, dy persona të cilët ishin vënë nga punonjësi i bashkisë së Tiranës, Algert Alcani kanë ashpërsuar gjuhën duke e takuar për disa herë Myftarajn dhe pas refuzimeve të këtij të fundit ata i kanë thënë se do t’i vrasin djalin.

Biznesmeni nga Cërriku më pas ka telefonuar Algert Alcanin duke i thënë atij se do të mbajë përgjegjësi në lidhje me kërcënimet e bëra nga shpura e tij, por punonjësi i Erion Veliajt i është përgjigjur prerë se “askush nuk mund të luajë me babanë e tij” (Shaqir Alcanin).

I gjendur nën kërcënim për familjen e tij ai ka bërë kallëzim në polici dhe më pas, hetuesve i ka vënë në dispozicion të gjithë korrespodencën e zhvilluar me Edmir Boçin, Louis Konomin dhe në fund me Algert Alcanin.

Pas këtyre veprimeve kanë nisur hetimet dhe kanë vënë në pranga Shaqir Alcanin, djalin e tij Algert Alcanin dhe njërin prej kërcënuesve të identifikuar si Edmir Boçi, ndërsa personi tjetër i njohur si Louis Konomi vijon të jetë në arrati.

Pritet që tre të arrestuarit të dalin nesër para togave të zeza në gjykatën e Elbasanit.