SYRI TV/ Përplasja Rama-Veliaj: Kryeministri ironizon dhe përçmon publikisht kryebashkiakun

Në çelje të fushatës së Partisë Socialiste, ranë në sy tensionet dhe përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Rama ironizoi Veliajn për fjalimin e mbajtur, ndërsa i mori mikrofonin duke e zbritur nga skena. Duket se ky veprim erdhi si kundërpërgjigje ndaj Veliajt, i cili një ditë më parë sulmonte Ramën si ish-kryebashkiak se kishte lënë Tiranën pa ujë

SYRI TV

Çelja e fushatës së PS për zgjedhjet lokale të 14 majit, konfirmoi edhe një herë përplasjet mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliajt, të cilët nuk nguruan të thumbojnë njëri-tjetrin, nën justifikimin e batutave dhe humorit.

Takimi festiv që Erion Veliaj organizoi në Farkë, pas shout propagandues me mbjelljen e pemëve, duket se doli jashtë kontrollit, duke arritur kulmin në fjalimin që kryebashkiaku Veliaj mbajti në podiumin para qytetarëve.

Entuziazmin e fjalimit ia fiku Edi Rama, i cili u ngjit në skenë dhe i mori mikrofonin, duke i kërkuar të largohej nga skena.

Ndonëse kjo ndërhyrje u bë në formën e një batute, Rama ishte i qartë në ironizimin e kryebashkiakut Veliaj, duke zhvlerësuar punën e tij dhe vizionin për Tiranën.

Por duket se ky gjest u bë në formë hakmarrje, pasi një ditë më parë ishte kryebashkiaku Erion Veliaj që sulmonte Edi Ramën, duke e akuzuar se kishte lënë kryeqytetin pa ujë.

Në një takim për strategjinë e Ujësjellësit, Veliaj akuzoi Ramën, si kryebashkiakun më jetëgjatë me 12 vite në administrimin e Tiranës, se nuk kishte kryer asnjë investim, duke e lënë furnizimin me ujë si një plagë edhe në ditët e sotme.

Tensioni dhe përplasjet mes tyre ishin evidente edhe gjatë takimit, ku teksa kryeministrit improvizonte me të rinjtë, kryebashkiaku Veliaj u afrua për realizimin e një video-selfie, por u injorua nga Rama, i cili shmangu qëndrimin e pozimit apo qoftë edhe një shikim për videon që po realizonte kandidati për Tiranë.