Nis zëvendësimi i deputetëve, 'mister' refuzimi i mandatit nga Ilir Beqaj

KQZ ka nisur procesin e zëvendësimit të deputetëve që lanë mandatin për të garuar në zgjedhjet lokale. Janë 5 deputetë që lanë mandatin e deputetit për të garuar si kryebashkiakë.

Nga kampi opozitar hoqën dorë nga mandati Luçiano Boçi, i cili pritet të zëvendësohet nga Qani Xhafa; Belind Këlliçi, që do zëvendësohet nga Asllan Dogjani dhe Zef Hila do zëvendësohet nga Ludovik Hasani.

Nga mazhoranca janë dy deputetë, Benet Beci në Shkodër, që zëvendësohet nga Ilir Beqaj, por ish-ministri ka refuzuar mandatin. Emri pasardhës është Frrok Gjini. Besjan Ajazi kandidon në Gramsh, kurse mandati i deputetit i kalon Shkëlqim Bullarit.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duket se e ka refuzuar mandatin e deputetit të lënë bosh nga Benet Beci në Shkodër.

Lajmin e kanë bërë të ditur disa media, por vetë Beqaj nuk ka bërë ndonjë reagim publik. Sipas burimeve mediatike, Ilir Beqaj, e ka dorëzuar përgjigjien e tij negative në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas listës së rezultateve të vitit 2021, pas Beqajt duhet që mandati t’i kalojë Frrok Gjinit.