Rrjedhja e dokumenteve sekrete amerikane tregon se Serbia ka rënë dakord të armatosë Ukrainën

Uashington - Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar t’i vërë sanksione Rusinë për pushtimin që i bëri Ukrainës, ra dakord të furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar ato tashmë, thotë një dokument i klasifikuar të Pentagonit.

Dokumenti, një përmbledhje e reagimeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për stërvitje ushtarake dhe "ndihma vdekjeprurëse" ose armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të dala në internet javët e fundit në atë që mund të jetë zbulimi më i keq i sekreteve amerikane në vite.

I titulluar "Evropa - Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë", dokumenti në formën e grafikut rendit "pozicionet e vlerësuara" të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.

Grafiku tregonte se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte ndihma vdekjeprurëse ose i kishte dërguar ato. Ai thoshte gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t'i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti është shënuar si  “Sekret” dhe “NOFORN”,  që parandalon shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja sekrete dhe ushtritë. Ai mban datën 2 mars dhe është i stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.

Reuters nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e dokumentit.

Zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Reuters në lidhje me referencën e dokumentit për Serbinë dhe më parë ka refuzuar të komentojë ndonjë nga dokumentet e zbuluara.

Qeveria e Vuçiçit ka deklaruar neutralitet në luftën e Ukrainës, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të vendit me Rusinë.

"Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiçit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për t’i dhënë armë, Ukrainës," tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore me Fondacionin Jamestoën, një institut i politikës së jashtme.

Departamenti i Drejtësisë po heton rrjedhjen e dokumenteve, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin e shkaktuar në sigurinë kombëtare të SHBA.

Grafiku i Pentagonit i ndante përgjigjet ndaj kërkesave të Ukrainës për ndihmë në katër kategori:

Vendet që ishin zotuar të ofronin trajnime dhe ndihmë vdekjeprurëse; vendet që kishin ofruar tashmë trajnime, ndihmë vdekjeprurëse ose të dyja; vendet me aftësinë ushtarake dhe vullnetin politik "për të ofruar ndihmë vdekjeprurëse në të ardhmen".

 

Austria dhe Malta ishin dy vendet e vetme të shënuara me "Jo" në të katër kategoritë.

Zbulimi i grafikut erdhi pak më shumë se një muaj pasi dokumentet e postuara në një kanal pro-rus në aplikacionin global të mesazheve Telegram, supozohet se treguan dërgesën nga një prodhues serb i armëve të raketave tokë-tokë 122 mm Grad në Kiev në nëntor.

Dokumentet përfshinin një manifest të dërgesës dhe një certifikatë të përdoruesit përfundimtar të qeverisë ukrainase.

Moska tha në mars se i kishte kërkuar Beogradit një shpjegim zyrtar për dërgesat e supozuara, citoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Prodhuesi i armëve Krusik Corp. i Valjevos nuk pranoi se i kishte ofruar raketa ose armë të tjera Ukrainës.

Vuçiç i quajti akuzat "një gënjeshtër famëkeqe". “Ne nuk kemi eksportuar asnjë armë apo municion në Rusi apo Ukrainë”, tha ai gjatë një vizite në Katar më 5 mars.

Reuters nuk mund të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumentacionit të dërgesës të postuar në Telegram.

Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar, Vuçiç është përpjekur të balancojë lidhjet e ngushta me Moskën me synimin e tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Por Serbia është e vetmja pengesë midis 44 vendeve të Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.