Ndizet ‘lufta’ në SHBA/ Jim Jordan: Duan të pengojnë hetimin e Kongresit
Padia ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndezur tensionet politike në SHBA.
Prokurori që ngriti padinë ndaj Trump, Alvin Bragg, i akuzuar nga republikanët se vepron si vegël e të majtës dhe miliarderit George Soros, ka vendosur të padisë kongresmenin Jim Jordan.
Padia e Bragg vjen pasi Jordan, si drejtues i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, kishte lëshuar një fletë-thirrje ndaj tij.
Bragg i kërkoi një gjykatësi që të shfuqizojë fletë-thirrjen për t’u paraqitur në komisionin e Kongresit, duke thënë se kjo është një fushatë për të ndërhyrë në hetimin ndaj Trump. Në padi thuhet se fletë-thirrja e lëshuar nga Jordan është antikushtetuese.
Pas këtij lajmi reagoi vetë kongresmeni Jordan, i cili tha se fillimisht ngritën padi ndaj një presidenti pa kryer krim, tani duan të pengojnë hetimin parlamentar.
“Së pari, ata paditën një president pa kryer asnjë krim.
Pastaj, ata po padisin për të bllokuar mbikëqyrjen nga Kongresin kur ne ngritëm pyetje në lidhje me fondet federale që ata thonë se i kanë përdorur për këtë gjë,” tha Jordan.
Të hënën, Komisioni Gjyqësor i Kongresit pritet të mbajë një seancë dëgjimore në lidhje me situatën e krimit në Nju Jork. Ata akuzojnë prokurorin Bragg se ka lejuar lulëzimin e krimit në qytet, ndërsa po bën ‘gjueti shtrigash’ në politikën e nivelit të lartë.