Rrjedhja e dokumenteve sekrete: Ka forca speciale perëndimore në terren, në Ukrainë
Forcat speciale nga Perëndimi janë në terren në Ukrainë, thonë dokumentet e klasifikuara të zbuluara në internet.
Kontigjenti më i madh është nga Britania (50 vetë), ndjekur nga vende anëtare të NATO si Letonia (17 vetë, Franca 15 vetë dhe SHBA, 14 vetë.
Është e paqartë se çfarë po bëjnë saktësisht forcat speciale, ku ndodhen apo nëse numri i tyre ka qenë vazhdimisht në këtë nivel.
Megjithatë, zbulimi konfirmon atë që shumë kanë spekuluar që nga fillimi i luftës në shkurt.
Një numër dokumentesh amerikane të shënuara si "tepër sekret" janë zbuluar kohët e fundit, duke përshkruar detaje komprometuese në lidhje me luftën në Ukrainë dhe aleatët e saj perëndimorë. Ato nuk janë verifikuar.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë janë përpjekur t'i pastrojnë ato nga mediat sociale, ndërsa hetojnë burimin e zbulimit.
Të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte "një nivel serioz pasaktësie" në pretendimin që forcat e saj speciale ishin në terren në Ukrainë.
“Lexuesit duhet të jenë të kujdesshëm në marrjen e akuzave që kanë potencial për të përhapur dezinformata”, shkruhej në Tëitter.
Prania e personelit ushtarak perëndimor në Ukrainë ka të ngjarë të kapet nga Kremlini, i cili ka pretenduar vazhdimisht se Rusia është nën sulmin e NATO-s.
Rusia e ka cilësuar gjithnjë e më shumë luftën në Ukrainë si një luftë ekzistenciale kundër Perëndimit në masën për të mobilizuar rusët e zakonshëm.
Numri i forcave speciale që raportohet se ndodhen në Ukrainë është i vogël, por ato janë shumë efektive për nga natyra e tyre. Britania ka një numër njësish elitare ushtarake që konsiderohen gjerësisht si disa nga më të mirat në botë.
Në fillim të javës, zyrtarët amerikanë paralajmëruan se mund të zbuloheshin më shumë dokumente.
“Lëshimi i informacioneve të klasifikuara dhe të ndjeshme jo vetëm që mund të ketë pasoja të mëdha për sigurinë tonë kombëtare, por gjithashtu të çojë në vdekje”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, Chris Meagher.
Uashingtoni ka ndërmarrë hapa për të kufizuar dëmin nga zbulimi dhe për të siguruar aleatët, por duket se “xhindi” ka dalë tashmë nga shishja.
Edhe pse disa nga dosjet e shpërndara në internet duket se janë redaktuar, si për shembull një mbi shifrat e viktimave në Ukrainë, Neë York Times ka raportuar se zyrtarët amerikanë kanë pranuar se shumë prej tyre janë të vërtetë.
Disa dokumente mund të kenë qarkulluar në faqet e bisedave për javë të tëra, por ato filluan të viheshin re në fund të javës së kaluar.