Bardh Spahia nga konferenca ‘Sfida të Ndërhyrjes në Autizëm’: Shkodra ndër të paktat bashki që ofron këtë shërbim

Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia ka ndarë në rrjetin e tij social Facebook disa momente nga konferenca e organizuar në bashkëpunim me fondacionin “Fëmijët Shqiptar” dhe qendrën “Harmonia”.

Konferencë kjo e cila kishte si qëllim prezantimin e problematikave dhe eksperiencave të menaxhimit dhe trajtimit të çrregullimit të spektrit autik.

Ndër të tjera, Spahia kujton se në Shkodër rreth 15 fëmijë marrin trajnim intensiv, duke qenë kështu një nga të paktat bashki në vend që ofrojmë këtë shërbim.

Statusi i plotë i Spahias:

Së bashku për një botë të ndryshme: Sfida të Ndërhyrjes në Autizëm”, ishte aktiviteti që na bëri bashkë në Shkodër.

Konferenca e organizuar në bashkëpunim me fondacionin “Fëmijët Shqiptar” dhe qendrën “Harmonia” kishte për qëllim prezantimin e problematikave dhe eksperiencave të menaxhimit dhe trajtimit të çrregullimit të spektrit autik. Fatkeqësisht në vendin tonë mungon një infrastrukturë shëndetësore publike e konsoliduar në lidhje me diagnostikimin dhe zhvillimin e terapisë për këta individë. Me dr.Liri Berishën, kryetare e fondacionit dhe drejtuesen e komisionit të shëndetësisë Albana Vokshi vumë theksin tek rritja e lobimit për të vënë në lëvizje mekanizmat shtetërore që të veprojnë me hapa konkret.

Bashkë me mjekët dhe drejtuesit e fondacionit vizituam Qendrën terapeutike “Harmonia” të Bashkisë Shkodër ku aktualisht marrin trajtim intensiv 15 fëmijë. I lumtur që jemi ndër të paktat bashki në vend që ofrojmë këtë shërbim dhe po punojmë për t’i rritur kapacitetet.