SYRI TV/ Rama i shqetësuar nga premtimi i Këlliçit për urbanin falas, s'i del e keqja me humbjet në Shkodër
Pavarësisht se gjysma e kandidatëve të tij janë në dyert e SPAK, kryeministri Edi Rama ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale me sulme dhe fyerje ndaj opozitës dhe liderëve të saj. Shefit të mazhorancës duket se nuk i ka dalë e keqja nga humbjet e njëpasnjëshme në bashkinë e Shkodrës e po ashtu u shfaq i shqetësuar edhe nga premtimi për transport publik falas i kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.
SYRI TV
Partia Socialiste ka hapur këtë të martë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Gjatë fjalës së tij nga sheshi "Skënderbej", kryeministri Edi Rama zëvendësoi gjatë fjalës së tij vizionin e socialistëve për zhvillimin e bashkive të vendit me sulme dhe fyerje ndaj opozitës, në një kohë që një pjesë të kandidatëve të tij i ka në dyert e SPAK për afera korruptive.
"Imagjinojeni sa gjynah të ribjerë në duart e atyre të cilët sot, ndryshe nga dje, nuk i sheh dot me sy as e gjithë bota. Por janë pengje të të shkuarës së tyre, të korrupsionit madhor dhe të minimit të demokracisë, të damkës non grata, të parave ruse dhe të kontove bankare të fshehta që kanë nisur të dalin mbi ujë si ato anijet e mbytura", tha Rama.
Shefit të socialistëve Edi Rama duket se nuk i ka dalë e keqja nga humbjet e njëpasnjëshme të partisë së tij në bashkinë e Shkodrës.
"Më besoni, kam kërkuar me mend, jo njëherë, por rëndom në gjithë këto vite dhe nuk e gjej një. Përkundrazi është i njëjti avaz si në Shkodër, kudo tjetër ku vota ka shkuar në drejtim tjetër nga ai për PS-në", vijoi ai.
Edi Rama është shfaqur i shqetësuar nga premtimi i kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, për transportin publik falas, dhe u mundua ta sfumojë atë.
"Madje këtë herë i kanë gjetur një kandidat që duket sikur ka humbur fizarmonikën, kështu më duket. Shikojeni kur thotë do ju bëj transport falas. Mua më duket tamam sikur thotë po ma gjetët fizarmonikën do ju bëj një xhiro pa lek", tha më tej Rama.
Partia Socialiste miratoi para pak javësh listën e kandidatëve të saj ku bie në sy fakti se shumica dërrmuese e tyre rikandidojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit.