Bled Marku: Veliaj pas zgjedhjeve do sulmojë periferinë, synon ta kthejë në kantier ndërtimi
Gazetari Bled Marku ka analizuar përmbajtjen e projektit të kandidatit për kryetarin e bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi për transportin falas.
I ftuar në edicionin e pasdites me moderatoren Armela Ferko, Marku ka deklaruar se qeveria ka projekte të fshehta për shembjen e pallateve pas zgjedhjeve për t'u kthyer në kantiere të reja ndërtimi.
“Erion Veliaj thotë se kostot reale për transportin publik falas janë 94 milionë -130 milionë euro në vit për të mundësuar lëvizshmërinë e qytetarëve të kryeqytetit. Realisht, ky transport kushton vetëm 16.5 milion euro në vit dhe nëse do të ketë një investim madhor të premtuar nga zoti Këlliçi atëherë kjo kosto do të shkojë në 21.5 milion euro në vit për të ndërruar komplet flotën e autobuazve. Autobuzët falas është një premtim që do të mbahet. Ka pasur aksidente të shumta sa i përket automjeteve të transportit publik. Autobuzët janë në gjendje mjerane dhe sigurisht kanë nevojë për rifreskim.
Sot kemi në kryeqytet një trafik të jashtëzakonshëm dhe lehtësimi i këtij trafiku bëhet me autobuzat falas pasi është pa kosto për qytetarët. Për mbarështimin e flotës urbane janë afërsisht 5 milion euro që do të vihen në dispozicion. Me shtimin e flotës dhe me përmirësimin e cilësisë nuk do të jetë më një diskriminim i udhëtimit, por do të jetë një mënyrë rigoroze e udhëtimit me transport publik falas dhe cilësor. Në zona të caktuara të Tiranës që qeveria aktuale ka projektuar të shemb pallatet pas zgjedhjeve, me Belind Kelliçin në krye të bashkisë së Tiranës nuk do të preken, një premtim solemn të cilën e ka bërë dhe ai. Këto pallate nuk do të preken,do të ngrihen grupe të posaçme pune. Ajo që është e rëndësishme është që askush nuk do të largohet nga zona ku ka jetuar dhe do të marrë metrat katror, fiks aq sa kishte.
Kantierët e ndërtimit po mungojnë në kryeqytet. Tokat po zvogëlohen, pasi ka dhënë 7 milion metra katrorë ndërtim Erion Veliaj, dhe kërkohen kantiere të reja ndërtimi. Zonat periferike të Tiranës janë me toka që mund ti ketë banesat private. Këto priten të sulmohen për tu ndërtuar kantiere të reja ndërtimi, ish fabrika të vjetra, ish-uzina të vjetra të cilat janë nën syrin e rreptë, madje janë premtuar edhe numri i pallateve që do të ndërtohen. Dy fabrikat në zonën e Laprakës pritet të zhduken dhe do të zëvëndësohen me pallate shumëkatëshe, me biznesmenë që do t'i mësojmë pas pak ditësh”, tha ai.