Osmani: Serbia i përkrah grupet kriminale në veri, Rusia iu bjen armë e uniforma

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në një intervistë për “The Sun Online” ka thënë se Serbia i mbështet grupet kriminale në veri të Kosovës, ndërsa Rusia i furnizon me armë e uniforma.

Ajo i ka bërë këto komente për mediumin britanik teksa ka tërhequr një varg paralelesh midis qasjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe qasjes së Rusisë ndaj Krimesë në vitin 2014 dhe ndaj Ukrainës në tërësi në vitin 2022.

“Forcat paraushtarake serbe dhe organizatat kriminale ndihmojnë në mbajtjen e dhunës në veri të Kosovës, me Rusinë që importon armë dhe uniforma ushtarake. Serbia ka mbështetur hapur këto grupe në veri të Kosovës dhe kryerjen e krimeve, duke përfshirë kryerjen e krimeve kundër serbëve që jetojnë në veri”, tha Osmani për The Sun Online.

Osmani ndër të tjera ka tërhequr paralele midis synimeve të Serbisë ndaj Kosovës dhe të Rusisë ndaj Ukrainës, gjersa ka thënë se pushtimi duket gjë e largët.

E para e vendit ka qenë shumë kritike ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq teksa e ka quajtur “autokrat” dhe ka thënë se Evropa duhet të mos “e qetësojë” por t’i tregojë se Kosova është vend i pavarur dhe sovran.