Kapja e armëve/ Mediat: Britania forcon sigurinë në Portin e Durrësit

Mediat britanike shkruajnë sot se Britania e Madhe ka forcuar kontrollet e sigurisë në Portin e Durrësit.

Lajmi vjen një ditë pasi policia sekuestroi disa armë që kishin për destinacion Britaninë e Madhe.

“Kriminelët shqiptarë po tentojnë të kontrabandojnë armë në Britaninë e Madhe përmes një porti të Adriatikut, ku qeveria britanikë është detyruar të forcojë sigurinë. Policia gjeti tetë pistoleta Glock me municione të fshehura në një furgon në Portin e Durërsit në bregdetin shqiptar, në një furgon ushqimesh,” shkruan gazeta ‘Telegraph’.

Armët u zbuluan nga skaneri në një furgon Mercedes Benz që po udhëtonte drejt Italisë dhe më pas për në Angli.

Shoferi po merret në pyetje, por pretendon se nuk ka njohuri për armët. Ai ka thënë se thjesht do dërgonte një sasi ushqimesh te të afërmit e një shqiptari, të cilët pretendon se nuk i ka takuar kurrë.

“Durrësi, një port që po pëson një zgjerim të madh nga qeveria shqiptare, u identifikua si një burim i mundshëm kontrabande nga Britania dhe Shqipëria vitin e kaluar, sipas disa emaileve të zbuluara në atë kohë.

Emailet zbuluan se Forcat Kufitare planifikonin të dislokonin oficerë në Shqipëri për të ndihmuar në ‘përshtatjen’ e planeve për zgjerimin e portit si dhe për të këshilluar mbi masat e sigurisë që mund të merren për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe importin e kokainës në Evropë nga bandat e krimit të organizuar,” shkruan gazeta.