Vau i Dejës/ Eksplozivi shpërtheu kur kreu i PD hipi në makinë - Policia jep detajet e para

Policia e Shtetit dha një informacion paraprak mbi shpërthimin e automjetit të kreut të PD në Vaun e Dejës, mëngjesin e së martës, fatmirësisht pa viktima. Sipas Policisë, lënda plasëse shpërtheu pikërisht në momentin kur Benard Ndreca hipi në automjet dhe ajo ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit.

Në njoftim thuhet: "Rreth orës 7:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.

Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme  materiale. 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve."