Kastrioti-Bylis u shty, po tani?
Shtyrja e takimit të javës së 28-të të Abissnet Superiore mes Kastritotit dhe Bylisit për shkak se trupa e arbitrave, e kryesuar nga Juxhin Xhaja, u kërcënuan me jetë një natë përpara takimit, ka krijuar një rrëmujë të vërtet në futbollin në vend.
Pas raportimit të ngjarjes nga vet FSHF, që me anë të një komunikate njoftoi shtyrjen e ndeshjes, një sërë reagimesh dhe deklaratash e kanë pasuar atë. Natyrisht që një ngjarje e tillë nuk mund të kalojë lehtë, sepse përveçse janë kërcënuar gjyqtarët në krye të detyrës, çka e bënë edhe më të rëndë rastin, është fakti që ky precedent është i përsëritur, pasi ka ndodhur edhe javën e shkuar në takimin mes Kastriotit dhe Lacit, i mbyllur me fitoren e krutanëve 2-1.
Në njoftimin e FSHF thuhej se arbitri i atij takimi Olsi Bajramaj ka anuluar një gol të kurbinasve duke qenë nën presion. Në lidhje me kërcënimet, pritet që në organin e hetimit, në prokurori, të paraqiten arbitra, zyrtarë të FSHF-së dhe zyrtarë klubesh, për të hedhur më shumë dritë rreth asaj që ka ndodhur dhe për të zbardhur të gjithë dinamikën e situatave që kanë ndodhur.
Ndërkaq, sa i përket aspektit sportiv, pritet të merren nën shqyrtim edhe komunikimet në audio mes gjyqtarit kryesor të takimit Kastrioti-Laci, Olsi Bajramaj dhe asistentëve të tij në atë ndeshje, të cilët ishin në dhomën e VAR-it. Veprimi i Bajramajt për të anuluar golin ngjalli dyshime, por vet institucioni që drejton futbollin në vend, FSHF, thotë se arbitri është kërcënuar me jetë dhe e ka marrë atë vendim nën presion.
Ngjarjet e fundit jo vetëm që njollosin imazhin e futbollit shqiptar, por pritet të sjellin një efekt zinxhir edhe në renditje, sepse mund të ketë vendime drastike pasi gjithçka të zbardhet plotësisht. Amullia mund të bëhet edhe më e madhe nëse klubi i Laçit, duke u bazuar te deklarata e FSHF, me të drejtë mund të pretendojë fitoren në tavolinë në përballjen e një jave më parë ndaj Kastriotit. Nga ana tjetër, nëse këto akuza të ngritura vërtetëohen, klubi i Kastriotit është ai që e pëson më keq, pasi rrezikon vërtet shumë, pse jo zbritjen një kategori më poshtë.
Gjithçka mbetet enigmë rreth asaj që do të ndodh në vazhdim, duke qenë se edhe precedenti është i panjohur, pasi në asnjë rast nuk ka ndodhur që një ndeshje të anulohet për shkak se kërcënohen arbitrat. Në lidhje me situata të tilla nuk ekziston asnjë rregullore, dicka që e bën edhe më të zymtë atë që pritet të ndodh. Pyetjet dhe pikëpyetjet janë të mëdha, por pyetja e parë që të vjen ndërmend është; çfarë do të ndodh në vazhdim, a kemi tashmë një kampionat të rregullt?! A.Guraj