SYRI TV/ Stil i ri për joshjen e votuesve: Sako e Durrësit e shtyn pagesën e taksave për pas zgjedhjeve
Në prag të zgjedhjeve vendore, bashkia e Durrësit vendos të shtyjë pagesën e taksave të bizneseve. Sipas një vendimi të bashkisë, taksat të cilat kanë afat maksimal datën 20 prill, u vendos të paguhen brenda datës 31 maj, afat i cili përkon me kohën pas zgjedhjeve lokale. Për këtë, bashkia e Durrësit ka përdorur justifikimin grotesk të mungesës së stafit.
Nga SYRI TV
Në këtë prag zgjedhjesh lokale, bashkia ka vendosur të tolerojë bizneset e qytetit bregdetar të Durrësit, duke shtyrë afatin e pagesës së tyre.
Në një vendim të miratuar më 30 mars 2023 nga Këshilli Bashkiak me propozim të kryebashkiakes Emirjana Sako, u vendos që taksat, të cilat kanë afat maksimal datën 20 prill, të paguhen brenda datës 31 maj. Shkak zyrtar për këtë shtyrje afati është mungesa e stafit në sektorin e të ardhurave në bashkinë e Durrësit.
Ligji për Taksat parashikon se biznesi i vogël duhet t’i paguajë taksat dhe tarifat vjetore me katër këste. Kësti i parë duhet të paguhet detyrimisht deri në mes të muajit prill. Por, Bashkia e Durrësit ka përdorur justifikimin grotesk të mungesës së stafit për të shtyrë pagesën e taksave deri në fund të muajit maj, e cila përkon me kohën pas zgjedhjeve lokale.
Opozita dhe vëzhgues të pavarur kanë ngritur më herët shqetësimin se qeveria dhe bashkitë e kontrolluara thuajse të gjitha nga socialistët e Edi Ramës, po përpiqen të bëjnë gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e votës së qytetarëve.
Gjatë javëve të fundit, kryeministri Rama ka hapur thesin e premtimeve, duke premtuar shpërblime e rritje pagash për grupe të ndryshme të administratës.
Ndërkohë, njësitë e qeverisjes vendore kanë zhvilluar procedura të shumta për asfalt elektoral. Tashmë, bashkia e Durrësit vjen me një ide origjinale-shtyn pagesën e taksave për pas zgjedhjeve lokale, duke ngritur pikëpyetje të fuqishme se e gjitha kryhet për të joshur votuesit që të mbështesin kandidaten socialiste, Emirjana Sako, e cila mban një mandat të pjesshëm.