Naso: Vendimet e qeverisë për pagat janë marrë pa konsultimin e grupeve të interesave

I ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri Tv ishte kryetari i shoqatave të biznesit së mesëm dhe të vogël, Albert Naso.

Naso është shprehur se ky  vendim i qeverisë për të rritur pagat minimale është marrë pa u konsultuar me bizneset e vogla, pasi është pikërisht ky biznes që e ndjen në kurriz këtë vendim arbitrar.

Ajo që qeveria shpalli nuk ishte lajm, por duhet të ishte një konsultim i ndershëm, dhe i kuptueshëm me argumente se përse ngrihet paga minimale dhe çfarë kostoje ka. A kemi mundësi ne si biznes i vogël që të përballojmë këtë rritje me urdhër të Ramës, sepse nuk dëgjuam nja argument se përse po ngrihen rrogat.

 Duhet të dimë a është bërë një analizë ekonomike-politike, se çfarë dëmi do të sjellë, a ka pyetur qeveria shqiptare se sa biznese janë mbyllur, a është bërë një analizë e plotë, por gjithmonë vazhdohet e vazhdohet me këtë qeveri e cila vjen dhe nuk pyet askënd. Grupi i interesit mbron interesat e grupit të vet, ne kemi mbrojtur në çdo kohë dhe shumë vite me radhë, por kjo qeveri nuk pyet farë nëse ka grup interesi dhe nuk do t’ia dijë fare. Qeveria shqiptare kujdeset vetëm që të mos ketë asnjë zë kundër.

Kjo pagë minimale duhet të ishte ngritur dhe është ngritur me kohë sidomos biznesi i ka rregulluar me kohë duke shkuar edhe në 600 mijë lek të vjetra. Problemi është të vetëpunësuarit, sepse kjo pagë minimale rritet me detyrim për të mbushur arkën e sigurimeve shoqërore e cila është një gropë e madhe. Si mund të paguaj unë 130 mijë lek të vjetra sigurime shoqërore në muaj kur pensionet e fshatit vazhdojnë me 110 të vjetra.

Unë jam dakord me pagën minimale që duhet të rritet, por të vetëpunësuarit do të sjellë një problem të madh financiar si për pagesën e pagës por edhe të sigurimeve shoqërore.