Projekti i zhvillimit të Matit/ Skënder Gjuci : Qytetarët besojnë ndryshimin, të gatshëm të votojnë PD

Kandidat i Partisë Demokratike për Matin, Skënder Gjuci ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në 'Kafe Shqeto’ ku ka treguar të gjithë planin e tij i cili vjen në dobi të qytetarëve matjanë për të sjellë ndryshimin e kërkuar në qytet.

Gjuci ka treguar se tashmë në qytetin e Burrelit ka nisur i ashtëquajturi ‘asfalti elektoral’ nga kandidati i aktual i Bashkisë Mat, por qytetarët matjanë nuk do të bien pre e këtyre mashtrimeve para zgjedhjeve. Ai ka treguar se ata do të jenë pranë alternativës së djathtë ‘Bashkë fitojmë’ dhe do të bëjnë zgjedhjen e duhur për drejtimin e bashkisë së qytetit.

Biseda në studio:

Flavio: Tendera elektoral, asfalti po mbulon rrugët edhe shtigjet, çfarë po ndodh në Mat?

Skëndër Gjuci: "Edhe në Mat si të gjithë bashkitë e tjera të vendit, kanë vazhduar tenderat e asfaltit elektoral, për katër vite nuk është bërë asnjë pëllëmbë asfalt, tani është duke u shtuar fshati Bushkash me asfalt. Po ashtu edhe qytetin e Burrelit e kanë mbushur me pllaka në disa vende, kjo është e gjithë panorama në Bashkinë e Matit. Për katër vite, asnjë fshat nuk është prekur nga asnjë lloj investimi".

Ola: Unë dua të ndalem në një pikë tjetër, në disa deklarata tuaja ju keni bërë disa akuza kundrejt atij që është aktualisht Kryetar i Bashkisë së Matit dhe keni thënë se ai nuk e njeh vlerën e votës dhe marrëdhënien midis të votuarit dhe votuesit?

Skënder Gjuci: "Që në vitin 2019 nuk pati zgjedhje, pra Partia Demokratike me në krye ish-kryetarin Basha nuk mori pjesë në zgjedhje dhe kandidatët u emëruan pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Pra ai është thjesht një i emëruar, por jo i votuar nga qytetarët".

Flavio: Ndërkohë, cili është vlerësimi juaj për ato bastione të dikurshme të PD? A janë qytetarët të gatshëm për t’i rikthyer ato apo do të jenë dinamika të reja politike që do t’i përcaktojnë ato në varësi të kandidatit?

Skënder Gjuci: "Bastionet e PD që kanë qenë në gjithë ato fshatra dhe njësi vendore vazhdojnë të jenë bastione të PD. Por megjithatë, do të kemi sërish dinamika të reja zhvillimi, edhe në bastionet e majta nga pakënaqësia që kanë ndaj qeverisë qendrore dhe lokale edhe pse janë socialistë të ndershëm dhe elektorati të gjithë janë të gatshëm të votojnë alternativën e djathtë ‘Bashkë Fitojmë’.

Ola: Nëse më 15 Maji qytetarët matjanë u besojnë karrigen e kryebashkiakut, cilat do të jenë ato drejtime në të cilat ju do të investoni fillimisht?

Skënder Gjuci: "Fillimisht do të jetë transparenca dhe komunikimi me qytetarët. Projekti i zhvillimit të Matit nuk është rilindja urbane, por zhvillimi i qëndrueshëm urban dhe rural të dyja ecin në paralele dhe pa fshat të zhvilluar nuk ka as qytet të zhvilluar. Me qytetin do të vazhdojmë me ndriçimin, pastrimin po ashtu edhe fshatrat edhe rrugët në shumë fshatra pothuajse janë të pakalueshme".

Klea Sula/ Syri.net