Berisha: Për Ramën dhe Ballukun 1 km autostradë kushton 24 mln €, në Gjermani 3 mln €
Arsyeja se pse shqiptarët largohen gjithnjë e më shumë nga vendi janë vjedhjet dhe abuzimet e qeveritarëve, gjë që sjell për pasojë varfërimin e qytetarëve.
Nga Fieri ku prezantoi kandidatin e koalicionit opozitar për kryetar bashkie, Evdar Kodheli, lideri i PD, Sali Berisha renditi abuzimet e qeverisë.
Berisha akuzoi ministren e Infrastrukturës, njëherazi zv/kryeministre, Belinda Balluku se keqmenaxhoi kaskadën e Drinit në verë duke ia shitur lirë energjinë sekserëve dhe e blen shtrenjtë në dimër. Ramën dhe Ballukun, Berisha i akuzoi edhe për abuzime me tenderat e rrugëve.
Kreu i PD krahasoi ndërtimin e 1 km autostradë në Shqipëri me Gjermaninë, ku në vendin tonë kushton 24 mln euro, ndërsa atje vetëm 3 mln euro kilometri.
"Autostrada në fushë ndërtohet prej tyre me 24 mln euro, ndërkohë që në Gjermani kushton 2-3 milionë euro. Shkollat në manuale ndërtimi, në Berlin, Paris, kudo, shkolla publike e kam fjalën, kushton 700 mijë euro, në Tiranë, 4-5-6 milionë euro. Hajdutë si këta nuk i ka parë toka. Këta nuk pyesim më për asgjë. Këta vjedhin dhe vetëm vjedhin. Ndaj dhe kjo shtrëngicë ekonomike, ndaj kjo varfëri e frikshme", tha kreu i PD.