'Ç'na bëre o bir'/ Nëna tregon si u përball me të birin pasi kishte vrarë kunatën, babai fshehu armën
Detaje të reja janë zbardhur pas krimit në familje që tronditi Tiranën orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në zonën e Shkozës, ku Roland Sinani qëlloi për vdekje kunatën Migena Sinani dhe më pas vrau veten.
Burime zyrtare bëjnë me dije se pas disa dëshmive kontradiktore që kanë dhënë nëna Igbale Sinani dhe babai Gëzim Sinani, grupi hetimor ka arritur më në fund të ndërtojë dinamikën e ngjarjes.
Policia dhe grupi hetimor i kanë lënë për disa minuta të qetë prindërit e Roland Sinanit, kur kishin kaluar disa orë nga akti i rëndë me dy viktima brenda familjes.
Më pas, Igbale Sinani dhe Gëzim Sinani kanë rrëfyer para hetuesve në detaje atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit.
Ata kanë treguar se të shtënat e armës së zjarrit i kanë dëgjuar rreth orës 4 të mëngjesit.
Autori ishte zgjuar pak minuta para ngjarjes dhe kishte marrë armën e zjarrit të cilën e kishte në shtëpi pa leje.
Fillimisht është zgjuar nëna e cila është përballur me Rolandin në dhomën e gjumit dhe i ka thënë 'Çfarë na bëre o bir'. Djali ka qenë i qetë para të ëmës dhe i ka thënë vetëm këto fjalë: “Vrava Migenën”.
Pasi të dy prindërit kanë hyrë në dhomën e gjumit ku ishte dhe fëmija, janë shprehur se kanë kontrolluar nëse Migena kishte shenja jete dhe a ishte lënduar apo jo fëmija.
Pasi qëlloi disa herë drejt Migena Sinanit, Roland Sinani ka dalë jashtë në oborr dhe ka qëlluar veten.
I ati Gëzim Sinani ka dalë menjëherë nga shtëpia dhe ka marrë armën e zjarrit që ndodhej pranë trupit të të birit dhe është munduar ta fshehë. Ai ka thënë se e ka marrë armën për ta fshehur duke shpresuar se djali do të shpëtojë dhe vrasjen e nuses së djalit ta merrte ai përsipër. Gëzim Sinani nuk e mbante mend ku e kishte fshehur armën pasi prej kohësh vuante nga skleroza.
Autori i krimit në familje Roland Sinani ishte i papunë, ndërsa prej disa muajsh kishte shfaqur dhe probleme të shëndetit mendor.