Ndalet ecuria pozitive e Fiorentinës, Spezia del me pikë nga 'Artemio Franchi'

 

Fiorentina nuk arrin dot të vazhdojë ecurinë pozitive duke u ndalur në një barazim në shtëpi ndaj Spezias me shifrat 1-1. “Vjollcët” u shpërblyen nga një autogol, ndërsa miqtë barazuan me Nzola.

Pjesa e parë nisi me shumë ritëm nga të dyja skuadrat, por ata që menduan të zhbllokonin rezultatin ishin vendasit. Një tentativë nga Biraghi drejt portës, u devijua nga Wisniewski i cili shkaktoi një autogol në portën e tij.

Megjithatë, avantazhi i Fiorentinës ndaj miqve nuk zgjati shumë dhe “vjollcët” u ndëshkuan në më pak se 10 minuta. Spezia arriti të barazonte rezultatin me të përhershmin, M’Bala Nzola.

Pjesa e parë u mbyll në shifra të ekuilibruara 1-1. Në pjesën e dytë ishte Fiorentina ajo që nisi vrullshëm takimin duke e dominuar Spezian në çdo aspekt, por pa arritur dot të shënojë golin që do t’i jepte tre pikët.

Me këtë barazim, Fiorentina pozicionohet në vendin e tetë të renditjes me 3 pikë larg Juventusit që është një vend më sipër. Nga ana tjetër, Spezia merr një pikë të vlefshme që e dërgon në kuotën e 26 pikëve dhe në vendin e 17-të.