Shkarkimi i Potter, flet Kovacic: Përgjegjësia e jona, por është më e lehtë të shkarkosh një trajner sesa 30 lojtarë
Mateo Kovacic e di se me çfarë do të përballet të mërkurën e ardhshme. Kroati luajti në “Santiago Bernabéu” për tri sezone. Tani te Chelsea dhe në prag të ndeshjes kundër “Los Blancos” në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ai shpjegon shkarkimin e trajnerit të dytë të sezonit të bluve, Graham Potter: “Në fund të fundit është më e lehtë të shkarkosh një trajner sesa 30 lojtarë, por gjithashtu varet nga ne, që duhet të bëjmë më mirë”.
8-shi i bluve të Londrës ka vlerësuar punën e ish-trajnerit të tij, megjithëse e pranon se situata nuk ishte e duhura: “Duhet ta falënderojmë Potter, i cili ishte këtu dhe bëri një punë të mirë. Nuk është e lehtë kur ka shumë ndryshime, kështu që ishte një situatë e vështirë edhe për të”.
Zëvendësuesi i tij, Frank Lampard, është një fytyrë e njohur për lojtarët më të vjetër të “Stamford Bridge”: “Ne e njohim atë, ishte trajneri ynë, kështu që është një lajm i mirë që është kthyer dhe përpiqet të ndryshojë sezonin tonë, sepse nuk ka qenë i mirë”.
Te skuadra londineze, e 10-ta në Premier League, e dinë se Liga e Kampionëve është gara për t’u kapur pas saj dhe shpëtuar sezonin: “Kemi dy ndeshje me Real Madridin, kështu që ekziston mundësia për ta përfunduar mirë sezonin”.
Kroati nuk beson se ndryshimi i trajnerit do të ndikojë në performancën e tij në çerekfinale: “Lampard mbërriti shumë i qetë, me një ide të qartë se çfarë pret nga ne, kështu që do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të na kërkojë të bëjmë në fushë dhe si do të përgatitemi”.