‘Sako ka dalë nga sirtari i dyshes mafioze Dako-Çela’/ Berisha: Gjush, sa para i ke dhënë McGonigal-it?

Në fund të fjalës së tij në tubimin e jashtëzakonshëm në Durrës, kryetari demokrat, Sali Berisha kishte një mesazh edhe për kandidaten socialiste, Emirjana Sako.

Berisha tha se ajo ka dalë nga sirtaret e mafiozëve Vangjush Dako dhe Ardian Çela.

Berisha iu drejtua edhe me një mesazh Dakos në lidhje me aferën McGonigal.

“Nuk duhet kurrë ne të vazhdojmë të ecim të përgjumur. Ndaj edhe ju demokrate e demokratë, durrsake e durrsakë ju ftoj që këto ditë që keni përpara, deri në datën 14 maj të bëjmë gjithçka. Të trokasim në çdo zemër, në çdo derë për të vendosur Igli Carën qytetar të parë të Bashkisë.

Imagjinoni ju, ajo zonja që është, ajo del nga sirtarët e Gjushit. Ajo ka një dyshe që është një nga dyshet më mafioze, jo në Shqipëri, por në Ballkan edhe më gjerë. Gjushi dhe ai Çela, mikpritësit e Massimo Denaros. Nxënësit e tij në Shqipëri. Gjush, thuaju durrsakëve sa para nga taksat e tyre i ke dhënë McGonigalit? Do ta gjejmë dhe do të bëhesh përgjegjës për to!

Megjithatë, në respekt të qytetarëve të Durrësit i sugjeroj mikut tim, Igli Cara ta ftojë në debat para qytetarëve. Të marrë edhe suflerët me vete Gjushin edhe Çelën aty prapa, që të marrin durrsakët dhe durrsaket të vërtetën. Shkon e ndërton konstruksione betoni vetëm për të vjedhur. Shkoni në Durrësin e ri, kolektori hapur, rrugë të pashtruara. Shihni kudo, trotuare të therrmuara, të copëtuara, sepse këta nuk pyesin për qytetarët. Këta pyesin vetëm për llogaritë e tyre bankare.

Ndaj dhe e vërteta është që 14 maji, është fundi i Gjushit, fundi i Ardian Çelës, fundi i Edi Ramës. Fitorja e Durrësit, fitorja e durrsakëve, fitorja e Shqipërisë.

Rroftë Durrësi! Rroftë Shqipëria! Rrofshi ju! Fitore, fitore, fitore!,” tha Berisha.