Revanshi i krimit në prag fushate, Bushkolaj: 9 të vrarë dhe 16 të plagosur për një muaj!
Gazetari i SYRI TV, Elkier Bushkolaj, ka komentuar sot situatën e rënduar kriminale në vend pas vrasjes së dyfishtë brenda familjes Sinani në Shkozë. Bushkolaj deklaroi se shifrat e vrasjeve dhe plagosjeve në vend në këto 5 javë dëshmojnë “shthurjen” e strukturave ligjzbatuese, çorganizimin e tyre.
I ftuar në studio, Bushkolaj tha “gjithmonë në prag të zgjedhjeve, situata me krimin është gjithmonë problematike për sa i përket numrit të ngjarjeve kriminale, kryesisht vrasjeve, por edhe plagosjeve. Do të mjaftojë vetëm për shifër: Në një muaj e pak ditë ne kemi rreth 9 të vrarë dhe 15-16 të plagosur, vrasje me armë zjarri, plagosje me thikë, çka është tregues i shthurjes së strukturave ligjzbatuese në vend.
Nëse do të flasim për ngjarjen e fundit, është e rëndë, në kufijtë e një masakre, krim brenda familjes; është e vështirë të thuhet nëse është një ngjarje që mund të parandalohej apo jo, për shkak se ka ndodhur brenda familjes në një orar të pazakontë dhe është dëshmi sesi institucionet funksionojnë në mënyrë të çorganizuar.
Kolegët tanë në terren dhe nga informacionet që kemi është se autori vuante nga probleme të shëndetit mendor. Është e pashpjegueshme se si një person me probleme të tilla të shëndetit mendor nuk merr mjekim në institucionet përkatëse, qoftë në spitalin psikiatrik ose të mbahet nën mbikqyrje por shkakton krimin e radhës.
Për fat të keq kemi dy të vdekur, më tragjike kuptohet është vdekja e 37-vjeçares e cila u vra në sy të fëmijës së mitur dhe kam përshtypjen që edhe kjo ngjarje do të mbyllet me këtë histori sepse nuk kemi një person që të paraqitet para drejtësisë për t’u dënuar, se i dha vetë zgjidhje kësaj tragjedie që krijoi.”