Kulla: PD-së që themeloi pluralizmin i’u ndalua të votohet! Tragjike, shqiptarët po ikin pa zhurmë

I ftuar në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, publicisti Ndriçim Kulla ka folur për situatën e vështirë politike në vend, ku Shqipëria gjendet mes etheve të zgjedhjeve vendore.

Kulla e ka quajtur një fushatë elektorale atipike për zgjedhjet e 14 majit, e cila nuk i ngjason asnjë fushate që ka ndodhur në 30 vite pluralizëm në Shqipëri.

Duke u ndalur te shpopullimi i vendit, publicisti Kulla theksoi se ndryshe nga emigrantët që ikën në vitet 1990 me shumë zhurmë me anije, gomone  etj. dhe kishin mbrapa një shpresë, sot shqiptarët po ikin fshehurazi me pasaporta me kontrata pune por të dëshpëruar se po braktisin atdheun e tyre që nuk do ta gjejnë kurrë.

Sipas Kullës, jemi në prag të një fushate që është nxirë shpresa, që mbas 30 vitesh një formacion politik, ai që ka themeluar pluralizmin në Shqipëri, Partia Demokratike i është ndaluar të votojë.

Kulla: Ne gjithmonë jemi në fushatë zgjedhore. Klasa politike e ka prishur kulturën politike dhe i detyrojnë njerëzit që të dalin dhe të mbajnë qëndrime politike.

Jemi në një fushatë zgjedhore atipike, nuk i ngjan asnjë fushate zgjedhore. Ka një ngjashmëri me luftën që bënë shqiptarët për të vendosur pluralizmin në Shqipëri. Në disa dimensione është edhe më e rrezikshme. Është si puna e emigrantëve që ikën në vitet 1990 që iknin me zhurmë me anije, me gomone, me avione pra me zhurmë shumë të madhe,  por kishin mbrapa një shpresë, ndërsa ata që ikin sot ikin heshturazi ikin me pasaporta me viza me kontrata pune por të dëshpëruar se po braktisin atdheun e tyre që nuk do ta gjejnë kurrë. Kjo është shumë tragjike.

Jemi në prag të një fushate që është nxirë shpresa. Nuk e gjej këtë fenomen në asnjë literaturë politike në kontekstin europina që mbas 30 vitesh një formacion politik, ai që ka themeluar pluralizmin në Shqipëri, është i ndaluar të votojë. Po të mos ishte bërë një kompromis i sforcuar që PD të mos shkonte te kupola e PL-së, sot do kishim 600-700 mijë votues që do të protestonin në ditën e votimeve.

Kjo është shumë tragjike. Kjo është një metaforë shumë e fortë e gjendjes së demokracisë në Shqipëri. Por ajo që më shqetëson më shumë është se si ka mundësi që Europa të bëjë sehir si në kohën e Eduard Gibonit, kur thoshte që Shqipëria nuk është në pyjet e Amazonës por vetëm 4 orë me vaporr nga Bari. Ç’është kjo Europë kështu?

Ka një krizë të lidershipit në të gjithë hapsirën euroatlantike.