I dashur 18 vjeçar që voton për herë të parë…

I dashur 18 vjeçar...

Unë jam një 33-vjeçar që po të shkruaj. Të pashë sot që brohorisje ndërsa fliste Edi Rama në Kukës, të pashë edhe dje tek brohorisje në Durrës, madje edhe para një jave kur brohorite në mes të Tiranës. Më kujtove veten 15 vjet më parë. Edhe une si ti kam brohoritur, besoje ose jo për Fatos Nanon. Ishte viti 2001. Edhe une isha anëtarësuar në FRESSH. Ate mot e drejtonte forumin Monika Kryemadhi, njëhere bëmë një party edhe ne, në vendlindjen time. U kënaqem shumë, hëngrëm çibuk dhe pimë FANTA me bidon derisa u shqepëm.

Kërcyem, ishe koha Backstreet Boys-ave. Ça qejfiii, në party me ne ishte edhe aktori Kadri Roshi i pastë rahmet shpirti. Po kshu si sot ju, edhe ne dikur na morën e na çuan në Pallatin e Sportit në Durrës se vinte Fatos Nano. Pallati ishte plot, ne valëvisnim flamunjt e PS-së me karafil dhe ngjyrë të kuqje. Aksush nga ne se merrte vesh në botë se çfare po ndodhte, por ama ishte qejfi i madh se ne ishim ithtarët e pushtetit, ne ishim socialistët, ne nuk binim në tokë. Pasi mbaroi mitingu, dhe u bënë zgjedhjet, Partia Socialiste asokohe korri një fitore publiçitare do thoshte Tërmet Peçi.

Në atë zgjedhje PS mori e vetme diku tek 75 mandate dhe sëbashkëu me aleatët saj arriti dikur 88 mandatet falë skemës së njohur si “Fenomeni i Dushkut”. Pak a shumë si sot. Atëhere ishte Dushku, arsyeja e deformimit të rezultatit, sot është Hashashi. Të dyja emër bimësh, njëra dekorative, tjetra stupefaçente. Njëra e pozicionuar vetëm në një fshat të Shqipërisë, kur tjetra sot e gjithë ditën në të gjithë vendin. Edhe unë si ty nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte asokohe. Unë u gëzova se Partia Socialiste, fitoi. Por nuk e kuptova se aty për aty për 4 vitet e ardhëshme ishte vrarë opozita.

Por ka një ndryshim, mes asaj qeverie socialiste të Fatos Nanos 2001-2005 dhe asaj të Edi Ramës 2013-2017, i dashur 18 vjeçar si unë dikur. Nëse socialisti Fatos Nano ishte një demokrat në mënyrën (Laissez faire) që aplikoi, Edi Rama është e kundërta e tij. Nëse Fatos Nano i dha Partisë Socialista, një mal me ministra dhe zv/ministra, Edi Rama i ka dhënë Shqipërisë vetëm një tufë “rilindasish inkubatori”, të gashtshëm për të vënë në jetë çdo paudhësi financiare që e robëron vendin tonë sot e 10 vjet me konçesione. Sot i dashur 18 vjeçar si unë 15 vite më parë, ti ke në dorë të kuptosh më shumë se unë dikur.

Sot ti je në gjendje të dallosh të mirën me të keqjen, shumë më shumë se unë 15 vjet më parë. I dashur 18 vjeçar si unë 15 vitë më parë. Vendi rrezikon të rrokulliset sot në një despotizëm politik, dhe ai që e po e end e po e end këtë të keqje, është Edi Rama që ti duartrokite sot në Kukës, dje në Durrës, e një javë më parë në Tiranë. Atë barsaletën e kamarierit jurist që të tregoi sot në Kukës, e tregoi edhe dje në Durrës, edhe një javë më parë në Tiranë. Atë përrallën me legalizimet falas që ta tregoi dje në Kukës, e tregoi edhe dje në Durrës, edhe një javë më parë në Tiranë. Edi Rama ta quan falas punën administrative për të cilën paguhet një administratë e tërë me taksat e prindërve të tua, sepse dardha e e ka bishtin mbrapa. Edi Rama të thotë se opozita po e pengon Reformën në Drejtësi që gjoja ai e kërkon me çdo kusht. Por a e di ti i dashur 18 vjeçar si unë 15 vjet më parë se çfarë është Reforma në Drejtësi?

Të betohem as unë! 

Edi Rama që duartrokite sot në Kukës, dje në Durrës, e një javë më parë në Tiranë është ka 4 vjet që përsërit të njëjtin refren, deri dje “Fajin e kishte Saliu”, sot e gjithë ditën e ka Reforma në Drejtësi. I dashur 18 vjeçar, Edi Rama ka 4 vjet që ia hedh fajin çdo kujt përveç se vetes për çdo dështim, dhe më beso që ka patur shumë. Por e mira e kësaj është se ai në asnjë moment nuk ka marrë meritën për asgjë në këto 4 vjet, sepse asgjë është rezultati i qeverisjes së tij. Madje asgjëja do të ishte diçka, por më keq se asgjë është të kesh bërë keq.

Sot e 4 vjet i dashur 18 vjeçar, në Shqipëri nuk shkel më asnjë investim i huaj, i fundit që kishte ndërmend të bënte diçka ishte një libanez, Faad Mitri që pasi e masakruan me shkop bejzbolli në mes të rrugës Tiranë-Rinas, iku nga sytë këmbë. Sot e gjithë ditën i dashur 18 vjeçar në Shqipëri nuk ka mjekësi falas ashtu siç Edi Rama premtoi, e kundërta është e vërtetë. Vetëm 2 javë më parë, mjekësia “falas” ia mori jetën edhe vëllait të deputetit socialist Besnik Baraj, ish zv minsitrit Sokol Baraj. E dini se çfarë bëri Edi Rama? E detyroi deputetin e tij të urtë Besnik, që të mos bënte denoncim në polici për Ilir Beqjajn.

Kjo është vetëm për të të treguar një rast nga mijërat e fatkeqësive që ka prodhur propaganda “Shëndetësi Falas”.  Sot në Kukës, dje në Durrës dhe një javë më parë në Tiranë, Edi Rama përdori të njëjtën fjali “ 4 vite janë pak për të rregulluar atë që është shkatërruar në 25 vjet”. A e di i dashur 18 vjeçar, se Edi Rama është në pushtet që prej 19 vjetësh, nga të cilat, 2 vjet si ministër i Kulturës, 11 vjet si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, 2 vjet si lider i Opozitës, dhe 4 vjet si Kryeministër. Kështuqë sa herë të të thotë se në 25 vjet gjërat kanë shkuar keq në Shqipëri, dije se në 19 vite, një shkaktarët kryesorë që vendi është këtu ku është, është edhe ai.

Për Tiranën duhet të dish, se aq të begatë e të jetushme e bëri kryeqytetin sa ditën që zbriti nga Bashkia, mori leckat e shkoi në fshatin më të afërt me të, Surrelin. I dashur 18 vjeçar, a e di ti se në fund të operacionit të lavdishëm të policisë shqiptare në Lazarat 3 vite më parë, u sekuestruan në total 7 ton hashash. Dhe meqë ra fjala, a e di sesa u kapën vetëm në një operacion të para disa ditëve në Përmet me një të rënë të lapsit? 11 ton!... Kjo që të thashë i dashur 18 vjeçar është vetëm një nga “arritjet” e policisë së Sajmir Tahirit, dhe një nga “dështimet” më spektakolare të policisë së Fatmir Xhafajt.

Nëse pas të gjithë këtyre që të reshtova më lart, i dashur 18 vjeçar ti më pyet sesi e kam emrin unë sot, e vemtja pëgjigje është se unë jam ti 15 vjet më vonë. I zhgënjyer, zemërthyer dhe i mërzitur me veten se përse dikush 15 vjet më parë nuk ishte aty për të më thënë, “ejjj, mos u merr partitë, mos u bëj turmë, por merr fatet e tua në dorë”.