Protestuesit në Paris i vënë flakën restorantit të preferuar të Macron

Protestuesit në Paris kanë sulmuar një nga restorantet e preferuara të presidentit francez Emmanuel Macron, ndërsa tensionet mbi reformat e diskutueshme të pensioneve vazhdojnë.

Macron është aktualisht në Kinë për të takuar Presidentin Xi Jinping, ndërkohë, trazirat kanë shkaktuar përçarje në të gjithë Francën dhe të enjten u zhvilluan përsëri demonstrata në të gjithë vendin.

Drejtuesit e sindikatave shpresojnë për një pjesëmarrje të madhe për të vazhduar vrullin përpara vendimit të këshillit.

"Ne nuk jemi dorëzuar ende dhe nuk kemi ndërmend," tha nëpunësi publik Davy Chretien, 50 vjeç, i cituar nga agjencia e lajmeve AFP në Marsejë.

Në Paris protestuesit hodhën gurë, shishe dhe bojë ndaj policisë në La Rotonde - një kafene e famshme e frekuentuar nga figura, përfshirë artistin spanjoll Pablo Picasso. Macron dhe ekipi i tij festuan atje pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2017.

Më parë, punonjësit në grevë të hekurudhave sulmuan ish-selinë e bankës Credit Lyonnais, e cila tani strehon kompaninë e investimeve BlackRock dhe firma të tjera.

Ministria e Brendshme e Francës vlerësoi se 570,000 njerëz morën pjesë në grevat e së enjtes, megjithëse sindikatat franceze pretenduan se numri ishte shumë më i lartë, në gati dy milionë.

Sindikatat kanë bërë thirrje për greva dhe protesta të reja në 13 prill - një ditë para vendimit për reformën.

Megjithëse protestat kanë qenë kryesisht paqësore, ka pasur një element dhune që kur qeveria në mars vendosi të detyrojë legjislacionin përmes dhomës së ulët të parlamentit - ku i mungon shumica absolute - pa votim.

Macron e ka mbrojtur masën, duke thënë se reforma është një domosdoshmëri.