Lampard është i përkohshëm, Chelsea synon rikthimin e madh të Antonio Contes
Chelsea zgjodhi të shkarkonte nga detyra trajnerin Graham Potter për shkak të rezultateve të dobëta që regjistroi nën drejtimin e “Bluve të Londrës”.
Numri një i londinezëve, Todd Boehly, u tregua i shpejtë për të gjetur një zgjidhje emergjente teksa timoni i skuadrës i kaloi Frank Lampard.
Ky i fundit e njeh mjaft mirë ambientin e Chelseat pasi në të kaluarën ka mbajtur rolin e trajnerit në klub, por e paharrueshme është edhe karriera e tij me londinezët.
Gjithsesi, Lampard duket aktualisht në rolin e trajnerit të përkohshëm pasi në planet e drejtuesve anglezë është një tjetër rikthim.
Fjala është për Antonio Conte. Sipas “The Indipendient”, te Chelsea kanë nostalgji për italianin që i dhuroi titullin skuadrës në vitin 2017 dhe e shohin atë si një fitues.
Bisedimet e para sapo kanë nisur me anë të ndërmjetësve të ndryshëm e në ditët në vijim priten të reja.
Tekniku italian është i lirë nga çdo impenjim pas eksperiencës me Tottenham dhe pavarësisht interesit nga Serie A, 53-vjeçari duket më shumë i prirur për të vijuar aventurën në Angli.
Nga ana tjetër, Chelsea po vlerëson si alternativa edhe Luis Enriquen, Julian Nagelsmann apo edhe Mauricio Pochetinon.